Kurti: Çështja e të pagjeturve nuk mund të pres, me Brukselin mund të hapim tema tjera por jo me Serbinë

0
550

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në dialogun me Serbinë, çështja e të pagjeturve është temë e cila nuk mund të pres.

Kurti ka thënë se është informuar nga zëvendësi i tij Besnik Bislimi për siç i quajti ai takime përgatitore të një dialogu që do të ketë kapitull të ri.

“Unë jam informuar nga profesori Bislimi për takimet përgatitore të një dialogu që do të ketë një kapitull të ri, veç se ekziston një çështje që nuk mund të prej e kjo është çështja e të pagjeturve. Bashkë me zëvendëskryeministrin Bislimi ka udhëtuar edhe udhëheqësi i delegacionit dhe komisionit për të pagjeturit Andin Hoti. Nuk mund të presim marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke me Serbinë kur janë në pyetje familjarët e 1630 qytetarëve të Kosovës që janë të pikëlluar që nuk i kanë më të dashurit e tyre edhe 22 vite më vonë, ku më e keqja nuk e dinë ku janë ata e edhe nëse e dinë që janë të vdekur nuk i kanë eshtrat e tyre”, u shpreh Kurti.

Kryeministri theksoi se “ka vetëm një temë që nuk pret është çështja e të pagjeturve të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, dhe për këtë me siguri do të diskutohet në Bruksel”

Kurti tha se për çështje tjera kanë dhënë propozimet të cilat nuk janë pranuar.

“Mund të hapen tema tjera mes Kosovës dhe Brukselit por jo mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Kurti.