Zvicër: Nga e hëna, në restorante vetëm me certifikatë të Covid-it?

0
411

Spitalet janë në kufi të mundësive të tyre prandaj Këshilli Federal ka vendosur për një shtrëngim plotësues të masave të koronës.

Kështu, që nga e hëna që vjen, në shumë vende pritet të lejohen të hyjnë vetëm personat që janë vaksinuar, janë shëruar dhe ata që janë testuar, shkruan blick.ch.

Jo më larg se në javën e kaluar, Ministri i Shëndetësisë Alain Berset kishte shprehur hezitim për të zgjeruar detyrimin për certifikatën Covid edhe në bare, kinema ose pishina të mbyllura.

Por tani zgjerimi duhet të vijë të hënën, transmeton albinfo.ch. Berset ka dorëzuar kërkesën përkatëse në Këshillin Federal të martën në mëngjes dhe qeveria do të vendosë rreth saj të mërkurën. Rezistenca mund të pritet vetëm nga Këshilltarët Federalë të SVP Guy Parmelin dhe Ueli Maurer.

Nëse “fiton” Berset, nga e hëna secili mysafir në brendësinë e restorantit duhet së pari të tregojë certifikatën Covid. E njëjta gjë vlen edhe për koncertet, teatrot, kinematë, muzetë, qendrat e fitnesit, pishinat e mbyllura dhe aktivitetet për 30 ose më shumë persona.

Gjoba prej 100 frangash për shkelësit

Dhe Berset dëshiron të shkojë më tej: Kushdo që me qëllim dëshiron të ketë qasje në një restorant ose kinema me certifikatë të rreme ose të palëve të treta, duhet të paguajë një gjobë prej 100 frangash, raporton “NZZ” duke iu referuar burimeve në administratën federale.

Berset, duke ndërmarrë këtë veprim ka pasur parasysh numrat e rasteve dhe mungesat e stafit në njësitë e kujdesit intensiv në spitale, përcjell albinfo.ch. Zyrtarisht, shërbimi mjekësor i koordinuar aktualisht ka 863 shtretër të kujdesit intensiv.

Sipas shifrave të fundit nga e hëna, 206 prej tyre ishin akoma të lira Shkalla e zënies ishte 76.1 për qind.