Tuesday, September 21, 2021
BallinaMërgata ShqiptareVazhdon misioni i mjekut Cuculi për të bindur shqiptarët në Zvicër të...

Vazhdon misioni i mjekut Cuculi për të bindur shqiptarët në Zvicër të vaksinohen

Mjeku shqiptar në Zvicër Florim Cuculi e ka marrë parasysh se mund të kritikohet e të mos shihet me sy të mirë mes shqiptarëve në Zvicër. Por, thotë se e vërteta duhet të thuhet në sy sa nuk është tepër vonë.

Cuculi, shef i Kardiologjisë në Spitalin e Luzernit, në një intervistë për “Interaktiv” në KTV, ka shpjeguar atë që ai e sheh si mision profesional – të bind shqiptarët në Zvicër të vaksinohen.

Ai përmes një shkrimi shqip në gazetën zvicerane “Blick”, ditë më parë, ka ftuar shqiptarët të vaksinohen, pasi shifrat treguan se deri në 80 për qind e pacientëve të shtrirë në spitale me COVID-19, ishin shqiptarë.

Ai thotë se kjo duhet të ndalet që shqiptarët të mos jenë motor edhe i valës së katërt në vjeshtë.

“Popullata për fat të keq është e painformuar, e bëra thirrjen shqip në “Blick”. Ia vlen në gjuhën shqipe pasi ka që nuk e kuptojnë gjuhen gjermane, e konsiderova të dobishme që të shfrytëzohet çdo mënyrë e mundshme për të informuar shqiptarët për rrezikun”, ka thënë Cuculi, shef i Kardiologjisë në Spitalin e Luzernit.

- Reklama -

Ai ka thënë se hezitimi te shqiptarët për të marrë vaksinën anti-covid është shumë më i madh se te zviceranët dhe nacionalitetet tjera.

“Frika që ekziston është e pabazuar në fakte, është frikë e llafeve të Facebookut. Të merremi më pak me frikën. Kjo nuk është temë që as nuk duhet të debatohet. Është temë bardh e zi. Vaksina nuk të mbyt, virusi të mbyt edhe kur je i ri”, ka thënë ai.

Në fakt, mediat zviceranë kanë akuzuar bashkatdhetarët që pas kthimit të tyre nga Kosova dhe Maqedonia, e kanë shndërruar Zvicrën në një “spital’, duke rritur numrin e personave me COVID-19.

Cuculi thotë se e vërteta dhemb, por shifrat tregojnë këtë gjë.

Thotë se në bazë të bisedave me përgjegjësit e spitaleve, numri më i madh i pacientëve është shqiptarë.

“Një popullsi me 3-4 për qind të ketë mbi 50 për qind pacientë në spitale, kjo është e papranueshme. Popullata nuk ka faj, unë edhe në shkrimin tim nuk kam shkruar për fajin dhe shkaqet, jam përcaktuar për të ardhmen dhe e ardhmja është vaksinimi, që të mos bëhemi motor edhe i një vale tjetër në vjeshtë, të mos bëhemi gazi i Zvicrës dhe i botës”, ka thënë Cuculi.

Ai ka folur edhe për akuzat e mediave të Zvicrës që akuzuan kosovarët se u kthyen në Zvicër me teste false për COVID-19. Sipas tij, kjo është akuzë e rëndë dhe shteti i Kosovës duhet të hetojë këtë çështje.

“Shteti i Kosovës duhet ta hetojë këtë. Të thotë që nuk është e vërtetë, ose ta pohojë dhe të mbyll ato laboratorë, kurse pronarët t’i dërgojë në burg. Është akuzë shumë-shumë e rëndë. Kjo e diskrediton gjithë Kosovën, sistemin shëndetësor”, ka thënë ai.

Cuculi ka fajësuar edhe shtetin e Zvicrës që përmes fushatave nuk ia ka arritur të depërtojë te shqiptarët që jetojnë në këtë vend.

ARTIKUJ TË NGJAJSHËM

MË TË SHIKUARAT