Të enjten Kuvendi mblidhet në seancë plenare

0
38

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryekuvendari Glauk Konjufca, në mbledhjen e sotme vendosi që seanca e radhës e Kuvendit të mbahet të enjten, më 12 gusht 2021.

Në orën 10:00 Kuvendi do të procedojë me tri pikat e mbetura nga seanca e mbajtur më 6 gusht 2021, për të vazhduar më pas me seancën e re.

Kështu, pas ezaurimit të dy pikave të zakonshme, deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi pritet të shqyrtojë Projektligjin nr. 08/L-024 për ratifikimin e Amendamentit nr.1 të Marrëveshjes të lidhur ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë Hungareze në lidhje me Programin Kornizë për bashkëpunim financiar, si dhe të zgjedh Auditorin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës.

Seanca do të vijojë me shqyrtimin e raporteve vjetore (për vitin 2020) të pesë institucioneve të pavarura: Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, si dhe të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2020.

Kjo seancë, e cila pritet të jetë e fundit për këtë sesion, do të përmbyllet me shqyrtimin e propozimit të Grupit Parlamentar të Listës serbe për zëvendësimin e anëtarit në komision parlamentar.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia, konform rekomandimit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, miratoi raportin e Shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2021, si dhe shqyrtoi çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.