“Ai që zgjedh me vetëdije të mos vaksinohet është burim infektimi”

0
417

Alban Beltoja, është një mjek reanimator dhe anestezist shqiptar në Lodi të Italisë. Në një intervistë, ai shprehet se të gjithë duhet të marrin vaksinën për t’u mbrojtur nga Covid-19, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të ndërpritet transmetimi i infektimeve. Beltoja thekson se ata individë që refuzojnë të vaksinohen, kanë arsyetime shumë sipërfaqësore, egoiste dhe është e mira e përgjithshme ajo që duhet të prevalojë mbi gjithçka. “Imuniteti kolektiv shërben për të mbrojtur subjektet e brishta. Një njeri që zgjedh me vetëdije të mos vaksinohet është burim infektimi për kolektivitetin duke mbajtur qarkullimin e virusit”, – tha Beltoja.

“Çfarë problemi keni ju që jeni vaksinuar, me ne që nuk duam ta marrim vaksinën. Ju jeni vaksinuar, jeni të mbrojtur, unë nuk dua ta marr”, kjo është përgjigja më e shpeshtë që marrim në diskutim kur duam t’i themi dikujt që duhet të vaksinohet.

Por pandemia tregoi që luftërat fitohen bashkë. Shkencëtarët janë të bindur se Covid-19 mund të mposhtet vetëm nëse do të imunizohet e gjithë popullsia. Por ndërsa kjo luftë nuk na gjen të gjithë të bashkuar, koha që ajo të përfundojë do të zgjatet. Numri i personave që refuzojnë vaksinën, nuk është i paktë. Gjithkush ka arsyen e tij, duke marrë parasysh që teoritë konspirative kanë pasur jo pak ndikim. Ka shumë që shprehen se është zgjedhja e tyre individuale, dhe nëse e zë virusi, ai ose ajo do ta pësojë.

Por doktor Alban Beltoja, mjek në Itali, ka një përgjigje për të gjithë ata dhe shprehet se ky është një arsyetim egoist. Dhe mbi të gjitha, jo, nuk do ta pësojë vetëm personi që nuk vaksinohet ndaj të gjithëve ‘na duhet’ nëse dikush nuk merr vaksinën.

“Është një arsyetim shumë sipërfaqësor i një personi në thelb egoist dhe mosbesues. Është e mira e përgjithshme që prevalon. Ka persona që nuk mund të vaksinohen për shkak të probleme shëndetësore. Imuniteti kolektiv shërben për të mbrojtur subjektet e brishta. Një njeri që zgjedh me vetëdije të mos vaksinohet është burim infektimi për kolektivitetin duke mbajtur qarkullimin e virusit. Nga njëra anë infektohen subjektet e brishta dhe nga ana tjetër favorizohet selektimi i varianteve të reja. Më tej akoma, nëse sëmuret nuk ka garanci për ecurinë e favorshme të sëmundjes”, u shpreh mjeku Beltoja.