Sonte Zambaku i Prizrenit

0
31

Festivali tradicional i këngës së lehtë Zambaku i Prizrenit sivjet shënon edicionin e tridhjetë e dytë dhe organizohet me 24 korrik në bahçen e Kino Lumbardhit në Prizren.

Juria Profesionale për shpalljen e këngëve fituese do të bëj përzgjedhjen e tri këngëve më të mira të festivalit për çmimin e parë, dytë dhe tretë, dhe të gjithë pjesëmarrësit në mbrëmjen e Zambakut do të kenë mundësinë të votojnë për këngën e tyre të preferuar, e cila edhe do të rrëmbej çmimin kryesor të festivalit atë të Zambakut të Prizrenit.

Nga 36 këngët konkurruese të edicionit të 32-të, juria profesionale/seleksionuese e përbërë nga: Arben Skenderi – Prof. Celist/Kompozitor (kryetar jurie), Elvis Bytyqi – Prof. Kitarist (anëtar) dhe Dardan Gjinolli – Prof. Saksafonist (anëtar), kanë përzgjedhur 16 këngët garuese të festivalit si në vijim:

  1. Më nuk je – Besmir Shishko Muzika dhe Orkestrimi: Artan Elshani, Vargjet: Besmir Shishko
    2. Medusa – Rovena Dilo Muzika dhe Orkestrimi: Hitman, Vargjet: Rovena Dilo
    3. Kur vallëzuam ne të dy – Agim Tejeci Muzika dhe Vargjet: Agim Tejeci, Orkestrimi: Besim Mydyti
    4. S’ngrohet zemra ime – Jehona Lumi Muzika dhe Orkestrimi: Rinor Ukimeri, Vargjet: Jehona Lumi
    5. Sarıl bana – Tolga Kazaz Muzika: Husein Kazaz, Orkestrimi: Armend Shala, Vargjet: Hakan Denker
    6. Të dua ty – Mariza Ikonomi Muzika dhe Orkestrimi: Endrit Shani, Vargjet: Mariza Ikonomi
    7. Bukuria – Artan Bakia Muzika dhe Orkestrimi: Artan Bakia, Vargjet: Naim Frashëri
    8. Vendi nën diell – Donika Rushiti Muzika: Seb Delhysa, Orkestrimi: Armend Shala, Vargjet: Mark Gojani
    9. Se do dashuronte dashuria – Ilir Baxhaku Muzika dhe Orkestrimi: Gazmend Kraja, Vargjet: Lasgush Poradeci
    10. Me gjysëm zëri – Klea Kasemi & Klara Doci Muzika: Klea Kasemi, Orkestrimi: Aldo Marku, Vargjet: Klara Doci
    11. Këtu besëlidhja – Arsim Nushi Muzika: Arsim Nushi, Orkestrimi: Ruzhdi Sadiku, Vargjet: Gani Muhaxhiri
    12. Prilli nuk e dinte – Diana Toska Muzika: Veton Perolli, Orkestrimi: Artan Elshani, Vargjet: Irena Bano
    13. Dashni e rrallë – Rei Bezhani Muzika dhe Vargjet: Eriona Rushiti, Orkestrimi: Enis Mullaj
    14. Fry moj erë – Elizabeta Janaqi Muzika dhe Orkestrimi: Naim Krasniqi, Vargjet: Milaim Islami
    15. Özledim – Hürmet Celina Muzika dhe Vargjet: Hürmet Celina, Orkestrimi: Sertan Sallahi
    16. Ndarja – Ruzhdi Sadiku Muzika dhe Orkestrimi: Rron Sadiku, Vargjet: Qemail Juniku.

Festivali i këngës së lehtë “Zambaku i Prizrenit” është themeluar në vitin 1986 nga institucionet e atëhershme kulturore të Kosovës, si ngjarje e vetme kulturore që kultivon zhanrin e muzikës qytetare, si baladat, shansonet e serenatat. Gjatë viteve të 90-a, me shkatërrimin e institucioneve kulturore dhe produksionit muzikor të RTP-së, përgjegjësinë për ruajtjen e traditës e merr SHKA “Agimi”, e cila arrin që këtë festival ta bart në vitet e pasluftës, prej kur komuna e Prizrenit merr përsipër menaxhimin e tij. Festivali i këngës qytetare “Zambaku i Prizrenit” mbahet për çdo vit në fund të qershorit/fillim të korrikut, dhe në të interpretohen këngë në gjuhën shqipe, turke e boshnjake.

Zambaku i Prizrenit përveç karakterit reprezentativ, çdo vit është shquar edhe me kultivimin e artistëve dhe këngëve të reja të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në repertoarin e muzikës qytetare, duke afirmuar personalitete të njohura të muzikës si këngëtarë, kompozitorë, poetë, instrumentistë etj, të cilët i kanë begatuar vlerat e mirëfillta muzikore të vendit tonë. Ditëve në vijim do të publikohen detaje të reja rreth organizimit të festivalit.