Sot përurohet shtatorja e Fadil Vokrrit

0
46

Sot në orën 18:00 do të bëhet përurimi i shtatores së Fadil Vokrrit, pikërisht në ditëlindjen e 61-të të Legjendës.

Kjo ceremoni bëhet nën organizim dhe protokoll të Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport para hyrjes zyrtare të stadiumit “Fadil Vokrri”, aty ku do të vendoset shtatorja e Legjendës së futbollit mbarëkombëtar.
Të pranishëm në këtë ceremoni pritet të jenë kryeministri Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, familja Vokrri si dhe personalitete tjera të institucioneve dhe të sportit, si dhe miq të Legjendës.

Ndërkaq, pas ceremonisë së zbulimit të shtatores, nën organizim të Federatës së Futbollit të Kosovës, do të zhvillohet turneu me rastin e ditëlindjes së Legjendës, Fadil Vokrri.

Në ndeshjen e parë, e cila fillon në ora 19:00 do të luajnë veteranët e dy skuadrave në të cilat ka luajtur Legjenda, Llapi dhe Prishtina, derisa më pas në fushën e gjelbër do të zbresin disa prej emrave më të shquar të futbollit mbarëkombëtar, pasi do të përballen veteranët e futbollit të Kosovës dhe ata të Shqipërisë.

FFK fton të gjithë komunitetin sportiv, bashkëlojtarët dhe miqtë e Fadil Vokrrit që sonte të jenë të pranishëm në këto dy evente.