Firmoset marrëveshje në vlerë të 15 milionë eurove për menaxhimin e koronavirusit

0
152

Ministri i Financave, Punёs dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe drejtoresha për Ballkanin Perëndimor e Bankës Botërore ,Linda Van Gelder, kanë nënshkruar marrëveshjen e financimit “Projekti Emergjent i Kosovës për COVID-19 – Financimi shtesë”.

Qëllimi kryesor i kësaj marrëveshjeje është që përmes financimit të mundësohet parandalimi, detektimi dhe reagimi ndaj COVID-19, si dhe për të ngritur kapacitetet e duhura në sistemet kombëtare të shëndetit publik.

”Kjo marrëveshje kap vlerën totale prej 15 milionë euro dhe vjen si vazhdimësi e marrëveshjes bazё, tё nënshkruar me datë 29 qershor 2020 me Bankën Botërore, e cila veçse kishte siguruar 46 milionë euro për menaxhim dhe reagim emergjent ndaj pandemisë”, thuhet në komunikarën për media, transmeton Klankosova.tv.

Ky projekt do të mundësojë prokurimin e vaksinave kundër COVID-19, vaksinimin efektiv të popullatës, menaxhimit të mbeturinave mjekësore, prokurimin emergjent të barnave esenciale për trajtim të COVID-19 dhe të ngjashmeve, si dhe zhvillimin e strategjisë shëndetësore, mes tjerash.