Sfida e Mbetjeve Ushqimore përfundon hapin e parë të Rrugëtimit

0
36

Pas tri javësh angazhim, shtatë restoraneve iu dorëzuan çertifikatat për përfundimin e sukseshëm të sfidës së parë të Mbetjeve Ushqimore në Kosovë që trajton problemin e mbetjeve ushqimore në sektorin e gastronomisë. Pesë restorane janë në Prishtinë, një në Graçanicë dhe një në Gjilan.

Në nivel global, humbja e ushqimit dhe mbetjet ushqimore janë burimet kryesore të ndotjes së mjedisit dhe emitimit të gazrave serrë, por çështja mbetet e pa hulumtuar dhe ekziston një vetëdije relativisht e ulët për shtrirjen e ndikimit të tij në Kosovë. Midis 2% dhe 20% të ushqimit të servuar lihet në pjata për shkaqe të ndryshme si mungesa e monitorimit të lëndëve të para në depo, sfidat në parashikimin e numrit të klientëve, madhësia e menyve dhe porcioneve, ushqimi i skaduar dhe porositja nën-optimale.

Sfida, e cila u shpall muajin e kaluar, mobilizoi 18 biznese gastronomie për t’iu bashkuar një udhëtimi 3-javor të menaxhimit të mbetjeve ushqimore, ku shtatë prej tyre e përfunduan atë me sukses. Ky është vetëm hapi i parë drejt qëndrueshmërisë duke eksploruar mundësitë për transformim financiar dhe shoqëror. Këto biznese janë pioniere në ofrimin e zgjidhjeve të reja për zvogëlimin e mbetjeve ushqimore të cilat përfshijnë kompostimin (plehërimin me mbetje ushqimore), rimendimin e menusë dhe madhësive të porcioneve, paketimin e ushqimit të mbetur për mysafirët dhe dhënien e llumit të kafesë për kultivimin e kërpudhave.

Të ndërgjegjshëm për seriozitetin e problemit, akterë të ndryshëm të përfshirë në zinxhirin e vlerës nga furnizimi me ushqim deri te prodhimi u mblodhën sot në ICK për të diskutuar hapat e ardhshëm dhe perspektivën e partneritetit për të zvogëluar mbeturinat e ushqimit në Kosovë përmes një qasjeje më holistike. Diskutimi në tryezën e rrumbullakët u drejtua nga Arian Vranica, Sekretar i Përgjithshëm, Shoqata e Gastronomisë; Landër Kurti, Drejtor Ekzekutiv në AgroVictus dhe Valbona Bogujevci Asistent Përfaqësuese e Përhershme dhe Koordinatore e Programit në UNDP.

Ky aktivitet inovativ dhe tërheqës ishte një iniciativë e përbashkët e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, Qendrës së Inovacionit në Kosovë (ICK), Instituti Norvegjez për Kërkime Bioekonomike (Nibio) dhe Shoqatës së Gastronomisë – e cila ishte forca shtytëse në mbështetjen e të gjithë aktorëve të angazhuar në këtë mision.

Shtatë bizneset në sektorin e gastronomisë që përfunduan me sukses sfidën janë: Bagolina Eatery, Renaissance Restaurant, Lura Agrotourism, Hotel Gračanica, Tartine Deli, Anise dhe Margo Garden Bar.