Lajçak: Takimi ishte i vështirë, arritëm shumë pak progres

0
260

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, tha se takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, ishte shumë i vështirë.

Lajçak në një deklaratë pas takimit tha se dy delegacionet diskutuan disa propozime konkrete, mirëpo rezultati i vetëm që mund të raportojë është se dialogu do të vazhdojë.

“Takimi u zhvillua vetëm një muaj pas takimit të tyre të parë në kuadër të dialogut këtu në Bruksel. Takimi ishte i vështirë dhe demonstroi qasje shumë të ndryshme të të dy palëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si pasojë, ne arritëm shumë pak progres sot. U diskutuan disa propozime konkrete, mirëpo rezultati i vetëm që mund të raportoj sot është se dialogu do të vazhdojë”.

Ai theksoi se palët ranë dakord që negociatorët kryesorë do të zhvillojnë takime mbi baza mujore, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për të adresuar çështjet aktuale dhe për të përgatitur takime të nivelit të lartë kur është e përshtatshme.

“Për më tepër, të dy udhëheqësit ranë dakord të takohen përsëri në shtator. Për ne, Bashkimin Evropian, është e rëndësishme të nënvizojmë se e ardhmja evropiane për Serbinë dhe Kosovën varet nga normalizimi i marrëdhënieve të tyre. Prandaj, ne presim që të dy palët të punojnë së bashku për të kapërcyer të kaluarën dhe për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura midis tyre”.

Pjesë e takimit ishte edhe shefi i diplomacisë dhe sigurisë së Bashkimit Evropian Josep Borrell.

Gjatë takimit të sotëm në Bruksel, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se ka paraqitur një marrëveshje për paqe por që është refuzuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ende pa u lexuar.