FSK: Detyra jonë kryesore, mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës

0
147

Ministria e Mbrojtjes në Kosovë përmes një njoftimi ka thënë se FSK do të vazhdojnë të kontribuojë edhe në misione paqeruajtëse ndërkombëtare.

“Ne jemi të vendosur që betimin tonë të ushtarakut dhe vlerat ushtarake t’i zbatojmë deri në fund në shërbim të mbrojtjes së vendit si dhe paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe global”.

Në njoftim më tej thuhet se FSK bashkë me NATO-n do të kryejnë detyrat në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit, kombëtarë, rajonal dhe më gjerë, përcjell Telegrafi.

“Ligjërisht e njohur tashmë, Forca e Sigurisë së Kosovës mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës”.

Njoftimi i plotë i ministrit Armend Mehaj

Qytetarë të dashur të vendit tim,

Ne jemi të vendosur që betimin tonë të ushtarakut dhe vlerat ushtarake t’i zbatojmë deri në fund në shërbim të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit si dhe në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe global.

Kosova është shtet i ndërtuar në të drejtën e saj historike, kulturore dhe ndërkombëtare si dhe në sakrificën e brezave të tërë me rezistencë paqësore dhe të armatosur.

Ky shtet, tashmë i njohur nga vendet më të rëndësishme që bartin vlerat qytetëruese, të lirisë dhe demokracisë botërore, ka zhvilluar dhe ka funksional të gjithë mekanizmat shtetëror.

Ligjërisht e njohur tashmë, Forca e Sigurisë së Kosovës mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës.

Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë ushtarake multietnike, profesionale, e cila çdo ditë është duke u stërvitur, pajisur dhe armatosur për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me kompetencat e dhëna kushtetuese dhe ligjore.

Mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës është detyra jonë kryesore ligjore, prandaj Qeveria e Republikës së Kosovës me prioritet ka zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve të plota ushtarake e këtë e ka dëshmuar edhe me dyfishimin e buxhetit për vitin e ardhshëm.

Mbështetja ushtarake autoriteteve civile qendrore dhe lokale, gjithashtu mbetet objektivë e jona që aftësitë dhe kapacitetet aktuale ti avancojmë edhe më shumë në mënyrë që bashkë me mekanizmat tjerë shtetëror të sigurisë, sigurisë publike dhe emergjencave të përmbushim detyrën tonë.

Pjesëmarrja në operacionet ndërkombëtare, është vizioni ynë që ka nisur mbarë me zbarkimin e parë të trupave tona në operacionet paqeruajtëse krahë për krahë me trupat e ushtrisë amerikane.

Ky proces i zbarkimit jashtë vendit do të vazhdoj edhe me kontingjente tjera bashkë me angazhimin që së shpejti të jemi anëtarë të Kartës së Adriatikut – SHBA, Programit të Partneritetit për Paqe si rrugë direkte për anëtarësim në NATO-së.

Ne jemi të vendosur që betimin tonë të ushtarakut dhe vlerat ushtarake t’i zbatojmë deri në fund në shërbim të mbrojtjes së vendit si dhe paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe global.

Së bashku me shtetet aleate që na mbështetën në krijimin e këtij realiteti si dhe NATO-n përmes misionit të saj KFOR-it, në bashkëpunim dhe koordinim të plotë do të realizojmë detyrat tona në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë si faktorë determinues të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve tanë.