Plazhi i Pishporos në Fier, një tjetër destinacion veror për t’u zbuluar

0
394

Me 18 km vijë bregdetare ende për t’u shfrytëzuar, qyteti i Fierit ofron një potencial të vërtetë për zhvillimin e turizmit veror.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi zgjodhi sot disa pamje nga plazhi i Pishporos, për të promovuar këtë pjesë të bregdetit të Adriatikut.

“Me këto pamje fantastike të bregdetit të Pishporos, ju uroj javë të mbarë miq”, tha Subashi, duke ndarë fotot nga ajri të bregdetit ranor të Pishporos.

I shtrirë në një gjatësi prej 9.5 km mes derdhjes së lumit të Vjosës e deri në Zvërnec të Vlorës, Pishporo është edhe vendi i flamingove, që kanë gjetur oazin e tyre të qetësisë në ligatinat e plazhit, duke dhuruar spektakle të paparë.

Në stinën e verës plazhet ranore me shtrirje të konsiderueshme në territorin e bashkisë së Fierit, të ofrojnë qetësi dhe argëtim në të njëjtën kohë.

18 km në perëndim të qytetit të Fierit, shtrihet plazhi i Semanit, me gjatësi 7 km. Pjesë e vijës bregdetare të Fierit janë po ashtu edhe plazhi i Darzezës 13.7 km dhe plazhi Ndërnënas 8 km.

Ndërkohë gatimet tradicionale me prodhime vendase dhe çmime të përballueshme mbeten joshja e vizitorëve në Fier.

Për dashamirësit e turizmit të kulturës, Apolonia mbetet grishja kryesore në çdo stinë. Si një nga sitet më të mëdhenj të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike, ajo është perlë e trashëgimisë sonë arkeologjike.

Po ashtu, zbatimi i programit “100 fshatrat”, do t’i japë një tjetër implus zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm rural me impakt të drejtpërdrejtë ekonomik. Pojani, Libofsha dhe Cakrani janë tre fshatrat e përzgjedhur në kuadër të këtij projekti për bashkinë e Fierit.