OBSH paralajmëron për ‘kaos’ nëse individët përziejnë vetë vaksinat e Covid

0
253

Shkencëtarja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Soumya Swaminathan, këshilloi individët që të mos përziejnë vetë vaksinat e Covid nga prodhues të ndryshëm, duke thënë se vendime të tilla duhet t’u lihen autoriteteve të shëndetit publik.

“Ka një tendencë e rrezikshme këtu,” tha Swaminathan të hënën në një konferencë në internet pas një pyetje në lidhje me dozat përforcuese. “Do të jetë një situatë kaotike nëse qytetarët fillojnë të vendosin kur dhe kush do të marrë dozën e dytë, të tretë dhe të katërt”.

“Individët nuk duhet të vendosin vetë, por duhet të vendosin agjencitë e shëndetit publik, bazuar në të dhënat e disponueshme,” shkroi në Twitter.

Disa studime po tregojnë rezultate pozitive nga përzierja e vaksinave, por këto janë në fazën e parë të hulutimeve dhe kanë nevojë për studime të mëtejshme. Përzierja e vaksinave shihet si një mundësi në disa vende ku furnizimi nuk ka një vaksinë të veçantë.

Grupi Strategjik Këshillimor i OBSH-së për vaksinat tha në qershor se vaksina Pfizer mund të përdoret si dozë e dytë pas një doze fillestare të AstraZeneca, nëse kjo e fundit nuk është e disponueshme. Një studim spanjoll zbuloi se kombinimi Pfizer-AstraZeneca është shumë i sigurt dhe efektiv, sipas rezultateve paraprake.