Gjobë rekord ndaj Google në Francë

0
133

Autoriteti francez i konkurrencës ka vendosur një gjobë rekord prej 500 milionë eurosh ndaj Google, gjiganti amerikan aktiv në fushën e teknologjisë së informacionit.

Autoriteti francez pretendon që kompania amerikane nuk ka negociuar “me mirëbesim” me botuesit e shtypit në lidhje me zbatimin e të ashtuquajturave të drejta të lidhura.

Google gjithashtu do të duhet të “paraqesë një ofertë shpërblimi për përdorimin aktual të përmbajtjes së mbrojtur” nga botuesit dhe agjencitë e lajmeve, nëse nuk dëshiron të pësojë mega-sanksione të tjera.

Për Google, gjoba nuk pasqyron “përpjekjet e bëra” për të gjetur një zgjidhje.

Replika e gjigantit amerikan është e menjëhershme.

“Ne jemi shumë të zhgënjyer me këtë vendim, ne kemi vepruar me mirëbesim gjatë gjithë procesit. Gjoba injoron përpjekjet tona për të arritur një marrëveshje dhe injoron realitetin se si funksionojnë lajmet në platformat tona”, tha një zëdhënës i kompanisë.

“Deri më tani, Google është e vetmja kompania që ka njoftuar marrëveshjet mbi të drejtat e lidhura”, shtoi ai./ATSH