ESA lëshon në orbitë satelitin e parë të riprogramueshëm

0
36

Sateliti Quantum, sateliti i parë komercial fleksibël që mund të riprogramohet në orbitë, do të lëshohet më 27 korrik nga Kourou (Guajana Franceze) nga një raketë Ariane 5, njoftoi sot Agjencia Europiane Hapësinore (ESA).

Pasi të vendoset në orbitën gjeostacionare (përafërsisht 35 000 kilometra nga Toka), ky satelit i operuar nga Eutelsat do të ofrojë kapacitetin për t’u rikonfiguruar plotësisht nga toka, për një jetëgjatësi prej 15 vjetësh.

“Programi i parametrimit do ta bëjë atë satelitin e parë që mund të përshtatet me nevojat e klientit në çdo kohë dhe t’i shërbejë çdo rajoni të botës”, tha ESA në një deklaratë.

“Ne po kërkojmë fleksibilitet sepse kur lëshohet një satelit, kërkesa dhe tregjet mund të ndryshojnë me kalimin e kohës. Një satelit që nuk është “i ngrirë” dhe mund t’u përshtatet klientëve lejon një pamje më të fuqishme”, shpjegoi Elodie Viau, drejtoresha e Telekomunikacionit dhe Aplikacioneve në ESA.

Në bord, një antenë e re rrjeti, e ashtuquajtur “e komanduar me faza”, do ta bëjë atë të aftë të ndryshojë zonën gjeografike në kohë reale, për të siguruar telekomunikacion në një rajon të caktuar të botës ose për të lëvizur virtualisht për të ndjekur luftanije ose avionë.

Eutelsat nuk specifikoi kush do të ishin klientët e parë të Quantum.

Sateliti, që peshon 3,5 tonë, u krijua në një partneritet midis ESA dhe Eutelsat, i filluar në 2015.

Ai u ndërtua nga Airbus Defense System, kontraktori kryesor dhe British Surrey Satellite Technology, furnizuesi i platformës.

Buxheti i tij i përgjithshëm arrin në më shumë se 200 milionë euro, përfshirë gati 80 milionë euro të investuara nga ESA./ATSH