BM: Të gatshëm për bashkëpunimin me talebanët nëse ata i bashkohen qeverisë

0
83

Britania e Madhe është e gatshme të bashkëpunojë me talebanët nëse këta të fundit i bashkohen qeverisë afgane, deklaroi sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace.

Militantët do të takohen me përfaqësuesit e qeverisë afgane këtë javë, ndërsa luftëtarët talebanë kanë marrë kontrollin e zonave të mëdha të vendit pas tërheqjes së forcave amerikane dhe të NATO-s.

Gjatë një vizite në Uashington, Wallace shprehu zhgënjimin e tij për vendimin e presidentit Joe Biden për të tërhequr forcat e SHBA-së duke thënë se pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të ndiqnin shembullin e tij.

Sekretari i Mbrojtjes shtoi se ”Whitehall (Ministria britanike e Mbrojtejs – shën. i përkth.) ishte e gatshme të bashkëpunonte me talebanët, të cilët nënshkruan një marrëveshje me SHBA në shkurt të 2020”.

“Cilado qoftë qeveria afgane, nëse ajo i përmbahet disa normave ndërkombëtare, qeveria britanike do të angazhohet me të”, i tha Wallace gazetës ”Daily Telegraph”.

“Ashtu si qeveritë e tjera në botë, nëse ata sillen në një mënyrë që është seriozisht kundër të drejtave të njeriut, ne do ta rishikojmë këtë marrëdhënie”, theksoi ai.

Tërheqja e forcave amerikane pritet të përfundojë deri më 31 gusht.

Të premten talebanët pretenduan se kontrollonin 85 për qind të territorit të Afganistanit./ATSH