Pasoja e fshehtë dhe e trishtë e humbjeve dhe fitoreve në futboll

0
172

Ngjarjet e mëdha sportive, sidomos në futboll – sporti më i popullarizuar në botë – padyshim që do të shoqërohen me gëzim dhe festë për njërën skuadër dhe me trishtim a zemërim për palën humbëse. Mirëpo pavarësisht nëse një skuadër rrëmben kupën ose renditet në vendin e dytë, ekspertët kanë ngritur alarmin për një pasojë të fshehtë të këtyre ngjarjeve: dhuna.

Në Kupën e Botës 2018, Qendra Kombëtare e Mbretërisë së Bashkuar për Dhunën në Familje (NCDV) theksoi disa statistika tronditëse, shoqëruar me një imazh ku dukej fytyra e një gruaje me gjak te hunda që formonte kryqin – flamuri kombëtar i Anglisë.

Fotografia u publikua për të nxjerrë në pah statistikat që tregonin se, kur luan ekipi kombëtar, dhuna në familje në Angli rritet me 26%. Nëse Anglia humbet, shifra është edhe më e lartë – 38%.

Por këto shifra alarmante nuk janë të pranishme vetëm në Angli. Ekspertja e abuzimit në familje nga Universiteti i Melburnit, Cathy Humphreys, tha për ABC se tendenca të ngjashme u reflektuan në të gjithë botën.

Termi abuzim në familje përfshin një gamë të gjerë modelesh të sjelljes, nga dhuna fizike dhe seksuale te abuzimi psikologjik, emocional, sjellje kërcënuese, ndjekje dhe ngacmime.

Lidhja midis futbollit dhe abuzimit në familje është komplekse, megjithëse ekspertët kanë theksuar prej kohësh alkoolin si një faktor të rëndësishëm. Padyshim që alkooli nuk mund të jetë shkaku i drejtpërdrejtë i sjelljes së dhunshme, por mund të veprojë si një faktor rëndues.

Pasoja e fshehtë dhe e trishtë e humbjeve dhe fitoreve në futboll

Së fundmi, Shkolla e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër publikoi një raport mbi abuzimin në familje gjatë ndeshjeve, pasi analizoi frekuencën e incidenteve gjatë tetë viteve në Manchester. Raporti zbuloi se rastet e dhunës ishin “tërësisht të nxitura” nga burra që abuzonin me partnerët e tyre.

“Rritjet më të mëdha të abuzimit në familje ndodhin kur ndeshjet e futbollit caktohen herët gjatë ditës,” shkruan autorët. “Lojërat e planifikuara në mesditë ose pasdite u mundësojnë autorëve që të fillojnë të pijnë herët dhe të vazhdojnë gjatë gjithë ditës, duke çuar në një kulm të abuzimit në familje vonë në mbrëmje nga autorë të alkoolizuar.”

“Shumë nga këta burra kanë sjellje të dhunshme. Alkooli rrit ashpërsinë e dhunës dhe gjithashtu duket se krijon një justifikim për të bërë gjithçka. Alkooli krijon një klimë ku ka një ashpërsi më të madhe abuzimi,” shtoi Humphreys.