Kryeministri britanik njofton fundin e pranisë ushtarake në Afganistan

0
26

Kryeministri britanik Boris Johnson njoftoi në parlament se të gjitha trupat britanike në Afganistan do të “kthehen në shtëpi”.

Johnson tha se shumica e 750 trupave britanike të mbetura në Afganistan tashmë janë tërhequr.

Njoftimi i jep fund përfshirjes dydekadëshe ushtarake të Britanisë në Afganistan.

Megjithatë, Johnson deklaroi: “Shpresoj se askush nuk do të tërheqë përfundimin e gabuar se largimi i forcave tona në një farë mënyre do të thotë fund i angazhimit të Britanisë në Afganistan”.

Kryeministri premtoi 58 milionë funta për forcat e sigurisë dhe mbrojtjes të Afganistanit dhe 100 milionë funta në ndihmë për zhvillimin.

Një numër i vogël i trupave britanike do të lihen pas për të mbështetur një forcë të udhëhequr nga SHBA-ja për të mbrojtur diplomatët në Kabul, ku Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar synon të mbajë vendndodhjen e ambasadës së saj.

Ministria e Mbrojtjes nuk ka specifikuar se sa trupa britanike do të mbeten, por mediat lokale raportojnë se në radhë të parë, këto trupa nuk do të ruajnë ambasadën britanike.

“Prania ushtarake ndërkombëtare në Afganistan nuk ishte menduar kurrë të ishte e përhershme. Ne dhe aleatët tanë të NATO-s gjithmonë kishim plan të tërhiqnim forcat tona. Pyetja e vetme ishte se kur kjo do të ndodhte dhe për këtë nuk mund të kishte kurrë një moment perfekt”, tha Johnson.

Njoftimi i Mbretërisë së Bashkuar pason vendimin e Presidentit të SHBA-së Joe Biden për t’i dhënë fund pranisë ushtarake amerikane në Afganistan deri më 11 shtator 2021, 20 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit që shkaktuan luftën.

Megjithëse Britania pranoi vendimin e SHBA-së, figurat e larta të qeverisë dhe ushtrisë britanike, duke përfshirë edhe vetë kryeministrin Johnson, kanë thënë se ata nuk dëshirojnë të tërhiqen në këtë kohë, veçanërisht pas përparimeve të shpejta të talibanëve në gjithë vendin.

Gjithsej, 457 ushtarë britanikë kanë vdekur në Afganistan.