Kosova me 11 sportistë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”

0
230

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka prezantuar 11 emrat e sportistëve të sporteve të ndryshme me të cilët Kosova do të garojë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi ka thënë se janë duke i bërë përgatitjet për të marrë pjesë në lojërat olimpike “Tokyo 2020”, me 11 sportistët që vijnë nga gjashtë sporte të ndryshme: xhudo, mundje, atletikë, not, boks dhe shenjëtari sportive.

Krasniqi shpalosi se prej 11 sportistëve, gjashtë nga ta janë vajza, ndërsa 5 djem.

“Prej kësaj liste me normë olimpike janë: Majlinda Kelmendi (xhudo) në kategorinë -52 kilogramë; Distria Krasniqi (xhudo) në kategorinë -48 kilogramë, Nora Gjakova (xhudo) në kategorinë -57 kilogramë, Lorjana Kuka (xhudo) në kategorinë -78 kilogramë, Akil Gjakova (xhudo) në kategorinë -73 kilogramë dhe Egzon Shala (mundje) në kategorinë -125 kilogramë në stil të lirë”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, kreu i KOK-ut, bëri të ditur se të ftuar për pjesëmarrje gjatë kësaj gare janë Donjeta Sadiku (boks), kategoria 57 deri 60 kilogram, Drilon Ibrahimi (shenjëtari sportive) në 10 metra pushkë ajrore, Musa Hajdari (atletikë) në disiplinën 800 metra vrapim, Eda Zeqiri (not) në disiplinën 400 metra stil i lirë dhe Olt Kondirolli (not) disiplina 100 metra, stil i lirë.

Sportistja Donjeta Sadiku tha se me pjesëmarrjen e saj në “Tokyo 2020”, po i bëhet ëndrra realitet.

“Unë kam besuar gjithmonë se një ditë do t’i arrijë këto suksese si dhe puna e madhe dhe përkushtimi i madh një ditë do të shpërblehet. Synimet e mija në këto lojëra olimpike janë të qarta, të marr ndonjë medalje olimpike dhe të vazhdojë deri tek e arta”, tha Sadiku.

Në fund të konferencës, KOK ka informuar se tash e tutje do të ketë mbështetje sponsorizuese edhe nga banka TEB me drejtorin turk, Orçun Ozdemir, me të cilin u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit.

Potenciali më i madh i sportistëve kosovarë pjesëmarrës në lojërat olimpike është vlerësuar të jetë në mundje, xhudo dhe në boks. Gjatë lojërave olimpike të vitit 2018, Kosova mori pjesë me 8 sportistë.

Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, u shtynë për një vit për shkak të pandemisë, ato pritet të fillojnë më 23 korrik dhe të përfundojnë më 8 gusht.