Monday, September 20, 2021
BallinaNë KërkimHapen varret për viktimat e Srebrenicës që do të varrosen këtë vit

Hapen varret për viktimat e Srebrenicës që do të varrosen këtë vit

Në 26-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, varret e 19 personave që do të varrosen në Varrezën Përkujtimore të Potoçarit po gërmohen dhe po bëhen gati për varrim, raporton Anadolu Agency (AA).

Përgatitjet vazhdojnë për varrimin e 19 viktimave që do të varrosen në ceremonitë përkujtimore që do të mbahen më 11 korrik për gjenocidin e Srebrenicës, i cili konsiderohet si tragjedia më e madhe njerëzore në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Kenan Karavdiç, drejtori i Varrezës së Qytetit Visoko, tha në një deklaratë se varret janë gërmuar, por të gjitha përgatitjet nuk mund të përfundojnë sot.

Karavdiç kujtoi se autokolona me trupat e viktimave që do të varrosen do të niset nga qyteti Visoko drejt Varrezës Përkujtimore të Potoçarit të premten, 9 korrik.

Ndërkohë, zëdhënësja e Institutit të Personave të Zhdukur në Bosnjë dhe Herzegovinë, Emza Fazliç, njoftoi se eshtrat e njërit prej viktimave të Srebrenicës janë gjetur në qytetin Ilijash në pjesën qendrore të vendit.

- Reklama -

Ajo tha se viktima në fjalë u vra në rrugë me një grup në vitin 1995.

“Mbetjet mortore u gjetën vitin e kaluar. Analiza e ADN-së zbuloi se ishte viktimë e Srebrenicës. Gjetëm eshtra të viktimave të Srebrenicës në 25 qytete në gjithë Bosnjë dhe Hercegovinën. Jashtë vendit, kishte mbetje të gjetura në Serbi”, deklaroi Fazliç.

Gjithsej 6.652 varre të viktimave të gjenocidit ndodhen në Varrezën Përkujtimore të Potoçarit në të cilën çdo vit më 11 korrik në përvjetorin e Gjenocidit të Srebrenicës mbahen ceremoni përkujtimore dhe varrime masive.

Ushtarët serbë nën komandën e kriminelit të luftës Ratko Mlladiç, pas hyrjes në Srebrenicë më 11 korrik 1995, masakruan dhe varrosën në varre masive mbi 8.000 boshnjakë civilë. Viktimat që nxirren nga varret masive, identifikohen dhe çdo vit më 11 korrik varrosen në varrezën përkujtimore.

Pavarësisht se kanë kaluar 26 vite, ende kërkohen mbi 1.000 trupa të viktimave.

ARTIKUJ TË NGJAJSHËM

MË TË SHIKUARAT