BBC: Malet e Shqipërisë që na ruajnë rininë

0
234

Në “50 Arsyet për ta Dashur Botën në 2021”, sipas BBC Travel, gjendet dhe një arsye për të “dashur” malësinë e veriut të Shqipërisë.

Më poshtë gjeni rrëfimin e Elizabeth Gowing, për eksperiencën e saj në Shqipëri. Ndërsa po linte pas qytetin e Kukësit, e drejtuar malësive të veriut, ajo u njoh me familje, të cilat i siguronin të ardhurat e tyre nga bimët e egra.

Ia sesi e përshkruan, Gowing-u, autore e pesë librave të udhëtimit – nga të cilët katër për Kosovën dhe Ballkanin – udhëtimin e saj në Shqipëri:

“Ishte një mëngjes i vrullshëm. Isha ende duke vënë kremin ​​kundër diellit, ndërsa autobusi u nis. Po lija pas qytetin e Kukësit. Nga ajo që më kishin paralajmëruar, do të ishin dy orë udhëtim me gropa, nëpër mal.

Autobusi ynë ishte i tejmbushur. Te pasagjerët të binte në sy lëkura e bardhë dhe struktura e tyre e kockave, çka jam mësuar t’i shoh te burrat dhe gratë e zonave malore të veriut të Shqipërisë. Por, ajo çka më befasoi, qenë bagazhet e tyre.

Në Kanun, ku shkruhen rregullat tradicionale të Shqipërisë, gjen një thënie të tmerrshme, që e përcakton jetën komunale se ‘gruaja është një thes për t’u përdorur mirë’.

Por këtu, gratë shtatlarta, me shamitë e tyre të buta dhe gërshetat e gjata të zeza, ishin ato që i përdornin mirë thasët, duke i futur në autobus dhe duke i mbajtur para vetes.

Krah meje, një grua mbante një trastë të mbushur me një gjysmë buke të bardhë, të freskët, direkt nga furra.

Përpara saj qëndronte gruaja, të cilën e dëgjova teksa debatonte me shoferin se kishte vendosur një çarçaf gjigant, të mbushur me kërcej dhe lule aromatike, disa prej të cilave po binin në dyshemenë e mjetit.

Për fat të mirë, si për të shuar kureshtjen time, një grua – e cila më vonë u prezantua thjesht si ‘gruaja e Naimit’, (një tregues i pikëpamjeve tradicionale të zonës ndaj grave) – kishte një etje për t’u treguar të gjithëve për atë që ndodhej në atë grumbull barishtesh, që zonja ishte duke e çuar në shtëpi, nga Kukësi.

‘Pa kërcell, ata thanë! Vitin e kaluar ishin të lumtur që kishin kërcej! Por, tani me sa duket, nuk është e pranueshme. Kështu që, pjesa më e madhe duhet të kthehet përsëri në shtëpi. Ndoshta do t’ua hedh deleve’, tha ajo.

Doli që ajo po fliste për primulën e pranverës, një nga shumë bimët medicinale, të cilat mblidhen në natyrë në Shqipëri. Por, pakoja e saj u kthye mbrapsht, sepse ajo kishte mbledhur kërcellin në vend të luleve. Me sa duket një rregull i ri, i paparashikuar, në tregun ku ajo kishte shkuar për të shitur lulet e saj.

‘Pra, dilni për të mbledhur lule?’ pyeta unë.

Njëzëri, të gjithë u përgjigjën: ‘Po!’

Duke parë interesin tim, udhëtimi u shndërrua në një leksion me ilustrime. Për shembull, primula e pranverës – gruaja e Naimit më zgjati disa lule të verdha të thara në dorën time – njihen në vend si lule gishti.

‘Shikoni mënyrën sesi lulet grumbullohen, si një dorë’, tha ajo.

Një zotëri para meje tregoi tej dritares: ‘Lule, lule. Një euro për kilogram’.

Dikush tjetër u bashkua: ‘Dhe lule murrizi – për të mbledhur ato, duhet treguar kujdes te  duart’.

Isha duke mësuar një mënyrë të re për të analizuar fshatin.

Të gjitha lulet që këta koleksionistë gjetën, përfundimisht u larguan nga malet dhe zbritën në Kukës, për t’u shitur për eksport.

Aty, i pyeta bashkudhëtarët e mi sesi e përzgjidhnin atë që duhet të mblidhnin?

Mbase duhet ta kisha menduar përgjigjen – destinacioni i autobusit tonë ishte një fshat i quajtur Çajë.

Kjo zonë është tipike e Shqipërisë, e cila është 77% malore dhe përfiton nga një klimë mesdhetare dhe tokë që ka pak ndotje kimike gjatë viteve të vështira komuniste që përfunduan në fillim të viteve ’90.

Të gjithë këta faktorë i bëjnë bimët e mbledhura shqiptare të kërkuara botërisht. Industria ofron mundësi të mëdha ekonomike për gratë që ishin në autobusin tim, megjithëse të korrat e tyre duhet të përmbushin standardet ndërkombëtare, si p.sh. të mos kenë shumë material të papërdorshëm – si kërcelli.

Kur mbërrita në bujtinën e të parëve të Donika Musaj, ‘Bujtina Musaj’, shpresoja të më ofronin simbolin e Shqipërisë të ashtuquajturën ‘çaj mali’, një pije qetësuese, e verdhë si drita e llambës, që është bërë nga bima e hekurit, Sideritis syriaca.

Por, në vend të kësaj, ata më shërbyen një çaj më të errët, të bërë nga boronicat e thata.

‘Ne kemi mbledhur 100 kilogramë boronica vitin e kaluar’, tha Musaj, ndërsa po shijoja efektin relaksues të antioksidantëve me fruta.

Kjo familje, dhe ato të përfaqësuara në autobus, ishin vetëm disa nga më shumë se 100 mijë familje shqiptare të përfshira në kultivimin ose korrjen e bimëve medicinale dhe aromatike.

Në të gjithë vendin, janë afërsisht një në çdo shtatë shtëpi të lidhura me këtë sektor, i cili gjeneron deri në 28 milionë dollarë në eksporte. Midis vitit 2018-2019, eksporti përbëhej nga 12 mijë ton premula pranvere, boronica dhe bimë të tjera të kërkuara nga gastronomia e huaj dhe tregjet farmaceutike.

‘Ejani, të shihni’, tha Musaj dhe më çoi lart, për të më treguar kontributin më të fundit në atë tonazh të madh.

Ballkoni i saj i sipërm i ngjante një qilimi të thurur me premula pranverore, të cilat thahen në ajrin flladitës së verës.

Dukej sikur ajo të kishte sjellë një livadh të pasur në shtëpinë e saj. Unë kontrollova me vëmendje për ndonjë pjesë kërcelli, por Musaj e dinte se duheshin vjelë vetëm lulet – kur kjo ngarkesë të bëhej gati për t’u dërguar në Kukës, nuk do të ketë rrezik për t’u hedhur poshtë.

Dhe më tej bima do të shkonte nga Kukësi, përmes ndërmjetësuesve dhe eksportuesve, në kompanitë jashtë vendit, që janë të uritura për një cilësi të mirë dhe të egër të primula veris.

Gjethet e thara mund të mos duken si një përbërës i mundshëm për tonerat, serumet dhe maskat e syve, por ato produkte që ne shohim në revistat tona të bukurisë varen nga premula e pranverës, që ndodhet në këto ballkone shqiptare dhe ngarkohet në kamionë, duke u shpërndarë nëpër botë.

Më shkoi mendja për kremin ​​që vura këtë mëngjes dhe pyeta veten ‘se sa orë u deshën për të bërë’.

‘Gjatë sezonit’, më tha Musaj, ‘ne dalim nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 18:00’.

Mund të pikasja gra në kodra, ‘të armatosura’ me kosa, të cilat u jepnin atyre një pamje piratike, dhe të ngarkuara me thasët e tyre mbledhës.

‘Kjo është ajo çka ne bëjmë nga maji deri në shtator. Nga tetori, bie bora dhe nuk ka lule. Prioriteti ynë, në këtë kohë janë kafshët’.

Burri i Donikës, Xheladini, tha: ‘Ne e duam këtë vend. Unë e dua ajrin e pastër. Nuk dua të shkoj nëpër dyqane. Nuk më pëlqen Coca-Cola. Unë kam versionin tim organik: dhallin’.

Gjatë darkës, më shkoi goja lëng kur më ofruan ushqimin që përgatiste vetë familja: byrek me lëpjeta, djathë shtëpie, sallatë me domate të rritura në kopshtin e shtëpisë dhe speca shtëpie të pjekur.

‘Edhe lëkura e deles mbi të cilën je ulur’, u dha me shenjë Musaj jastëkëve të rehatshëm ndaj të cilëve isha mbështetur. ‘Ishte një nga delet tona’.

‘Dhe buka. Furra më e afërt është dy orë larg. Pra, edhe buka është bërë në shtëpi’, tha ajo.

Misteri i trastave të trasha në autobus u zgjidh. Ato feta buke ishin një ngarkesë e çmuar për të kursyer kohën e përgatitjes së ushqimit.

Pasi kishim ngrënë, unë dola në mbrëmje me djalin e Musajt, Ardianin.

Muzgu po binte dhe, përmes errësirës, ​​një skenë antike u materializua. Një varg kuajsh të rraskapitur, të ngarkuar me thasë najloni të lidhur rreth tyre, po drejtoheshin nga burra po aq të rraskapitur, nga kullotat mbi fshat. Ardiani shpjegoi atë që po shihja.

‘Ata kanë kaluar dje dhe sot duke mbledhur lule dhe e kanë kaluar natën në kasollet e tyre malore’.

Gratë koleksioniste nuk shkojnë aq larg sa burrat. Por megjithëse diapazoni i tyre gjeografik mund të jetë më i kufizuar, pavarësia që ekonomia e bimëve medicinale dhe aromatike u ofron grave si Musaj – pavarësisht faktorëve të tjerë që i shtyjnë ato në role më tradicionale – është shumë e qartë.

Anila Aliaj, nga OJQ-ja Lidhja e Vlerave Natyrore me Njerëzit (CNVP) – e cila ka një projekt për zhvillimin e këtij sektori me financimin e Ambasadës Suedeze dhe aktualisht punon me më shumë se 1 mijë fermerë – shpjegoi më shumë rreth asaj që bëjnë të mundur thasët dhe shitja e bimëve.

‘Ky sektor u jep mundësi grave të kenë të ardhura dhe të bëhen të pavarura ekonomikisht nga burrat e tyre’, tha ajo.

‘Por gratë’, shpjegoi më tej, ‘nuk duhet të jenë vetëm punëtore që mbledhin bimët, por edhe vendimmarrëse në tregtimin e produktit’.

Shumica e fermerëve, të cilët janë pjesë e projektit të saj, janë gra.

Aishe Ivani, infermierja e fshatit Çajë, bëri jehonë se si bimët medicinale ndihmojnë komunitetin e saj me pavarësi. Ajo, gjithashtu, në kohën e saj të lirë, del dhe mbledh bimë. Po ashtu, ajo thotë se me aksesin në ‘natyrën që Zoti na ka bekuar, ne jemi mjekët tanë’.

Në moshën 53-vjeçare, ajo është një grua tjetër, lëkurën e së cilës e admiroj dhe e pyeta nëse mendonte se premula e pranverës kishte ndonjë lidhje me lulëzimin e faqeve të saj.

Sidoqoftë, dukej se ajo kishte një besim më të madh tek të ushqyerit sesa te përmbajtja e atij tubeti të vogël të bardhë ku unë po mbështesja shpresat e mia kundër rrudhave.

‘Është ushqimi organik ai që më mban të re’.

Ata prej nesh që e kanë më të lehtë të përfshijnë në regjimin tonë të shëndetit diçka në kabinetin e ilaçeve sesa në dollapin e kuzhinës, bimët malore të Shqipërisë ofrojnë një shpresë tjetër.

Vaji i të ashtuquajturës ‘lule e përjetshme’ e helikriumit është një tjetër përbërës në ‘rivendosjen’ e serumeve të natës dhe ‘rigjenerimin’ e produkteve të fytyrës.

Ashtu si premula e pranverës, ajo është një tjetër bimë që rritet në këtë ajër të pastër malor dhe që përdoret nga kompanitë e kozmetikës nëpër botë për vetitë e saj, për të ruajtur ngjyrën e lëkurës.

Ndërsa po dilja edhe më në veri të Shqipërisë, buzë rrugës hasa me një grup tjetër grash me çehre të bukura duke tërhequr gjethet.

Ato thanë se kishin udhëtuar nga një fshat aty afër, i quajtur Gruemirë – emri përkthehet si ‘Grua e Mirë’. Ato ishin duke punuar në helikrium, dhe i pyeta nëse mund t’u bëja një fotografi.

‘Po, por të lutem më bëj të dukem bukur’, më tha me buzëqeshje njëra prej tyre.

Duke menduar për vajrat dhe petalet e çmuara që ato ofrojnë drejtpërdrejtë për kompanitë tona kozmetike; ka më shumë kuptim për mua – për të gjithë ne – ta kërkoj unë bukurinë prej tyre”.