Clark takohet me Osmanin: Ky vend u krijua falë shpirtit tuaj kryengritës

0
574

Presidentja Vjosa Osmani u takua me gjeneralin Wesley K. Clark, i cili më 1999 e udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër forcave ushtarake të regjimit të Millosheviçit.

Ajo shprehu kënaqësinë për ta mirëpritur mikun e Kosovës, derisa tha se gjenerali Clark e gëzon mirënjohjen e përjetshme të popullit të Kosovës.

“Ju simbolizoni vendosmërinë e botës demokratike për t’u vënë në mbrojtje të jetëve njerëzore, të jetëve të cilat po kërcënoheshin vetëm pse i takonin një etnie tjetër”, tha presidentja Osmani.

“Nuk do të jetë asnjëherë e mjaftueshme t’ua ritheksojmë mirënjohjen tonë për atë që ju bëtë për Kosovën në momentet më të vështira të historisë së saj. Rrëfimi juaj për Kosovën duhet të vazhdojë të dëgjohet gjithandej botës”.

Gjenerali Clark shprehu kënaqësinë që po rikthehet në Kosovë, aty ku mikpritja dhe mirënjohja për të janë të përhershme.

“Ky vend është krijuar falë shpirtit tuaj kryengritës dhe këmbëngultësisë së qytetarëve të këtij vendi për ta fituar lirinë”, tha gjenerali Clark.

Ai e ritheksoi gatishmërinë e tij që të vazhdojë ta përkrahë Kosovën sikur edhe deri më tani.