Arrestohen dy të dyshuar në Prishtinë për vjedhje të rëndë

0
72

Policia e rajonit të Prishtinës respektivisht hetuesit e stacionit policor të Obiliqit, dje kanë arrestuar dy persona lidhur me vjedhjen e pajisjeve të teknologjisë informative në fshatin Dobratin të komunës së Podujevës.

Rasti është denoncuar në polici më datë 06.07.2021 nga ana e ankuesit ku sipas tij dyshohej që më datë 05.07.2021, ishin vjedhur pajisje të teknologjisë në vlerë dhjetëra mijëra euro.
Policia menjëherë pas denoncimit, kishte nisur një hetim për ndriçimin e rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e të dyshuarve.

Progresi i hetimit të rastit pati për rrjedhoje organizimin e një operacioni bastisjeje në dy lokacione të ndryshme si dhe ndalimin e një automjeti të dyshuar që rezultoi me identifikimin dhe arrestimin e dy të dyshuarve si dhe sekuestrimin e gjësendeve që dyshohet të jenë vjedhur në rastin në fjalë.

Ndërkohë që të dyshuarit janë arrestuar, me rekomandimin e prokurorit të shtetit të njëjtit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh, duke u proceduar më tutje në fazat e mëtejme të hetimit të këtij rasti.