Zoran Vukotiq (Zoran Vukotić) dënohet për herë të dytë për krimet e luftës në Kosovë

0
97

Trupi gjykues i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë (i kryesuar nga gjyqtarja Valbona Musliu Selimaj, në datën 05 korrik të vitit 2021, të akuzuarin Zoran Vukotiq e ka shpallur fajtor për veprën penale dhunim seksual si krim lufte kundër popullatës civile dhe i ka shqiptuar dënim me burgosje prej dhjetë (10) vitesh.

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) rregullisht e ka monitoruar gjykimin kundër të akuzuarit Vukotiq. Në bazë të monitorimit të gjykimit, i cili ka qenë i mbyllur për publikun, FDHK gjen se gjykimi ka qenë i drejt, i paanshëm dhe në afat të arsyeshëm.

Aktgjykimi është shpallur pas mbajtjes së shtatë (7) seancave gjyqësore, ku janë dëgjuar shtatë (7) dëshmitarë të propozuar nga prokuroria, në mesin e tyre edhe e dëmtuara D.1.
Trupi gjykues e vërtetoi se i akuzuari Zoran Vukotiq si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, me datën 22 maj të vitit 1999, tek varreza e Vushtrrisë/Vučitrn, në bashkëpunim me forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kishin tubuar popullatën civile shqiptare që më parë ishin dëbuar nga vendbanimet e tyre i kishin urdhëruar të ulen në tokë dhe për derisa ishin në atë pozitë, i akuzuari me një mjet-shkop të drurit fillon ti rrahë duke i goditur në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit dhe në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të njësitit të përmendur i ndajnë meshkujt e rinj, i ngarkojnë me kamionë dhe i largojnë nga vendi në drejtim të panjohur, ndërsa gratë, fëmijët dhe pleqtë i detyrojnë të presin në kolonë para një shtëpie dykatëshe, kinse për ti pajisur me kartela të identifikimit dhe me të ardhur rendi tek e dëmtuara D.1 i akuzuari e kishte marr me forcë duke e futur në një dhomë në katin e dytë të asaj shtëpie ku kishte edhe femra të tjera të zhveshura dhe të dhunuara nga disa polic, ku në prezencën e atyre femrave dhe policëve të tjerë i akuzuari e kishte përdhunuar.

Që nga përfundimi i konfliktit të armatosur në Kosovë, nga gjyqësori vendor duke i përfshirë edhe misionet ndërkombëtare janë ngritur katër (4) aktakuza për dhunim si krime lufte kundër popullatës civile, kundër pesë (5) personave. Në tre (3) aktakuza të më hershme të pandehurit janë shpallur të pafajshëm. Aktakuza e fundit kundër të akuzuarit Zoran Vukotiq është ngritur më 06 mars të vitit 2020 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.2

1 Anëtarët e trupit gjykues, gjyqtarët: Valon Kurtaj dhe Suzana Çerkini

2 Aktakuza u ngrit nga prokurorja speciale, Drita Hajdari.

Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës