Universiteti i Prishtinës dhe Tiranës arrijnë marrëveshje bashkëpunimi

0
88

Universiteti i Prishtinës me atë të Tiranës kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me qëllim që të nxitet dhe të zhvillohet shkenca, arti, edukimi fizik dhe sporti. Nga viti i ardhshëm akademik, të dy universitet do të këmbejnë profesorë të fakulteteve përkatëse, të cilët do të ligjërojnë për një javë. Këmbimi do të bëhet edhe mes studentëve të Kosovës dhe Shqipërisë, me mundësi të njohjes së kredive dhe diplomave.

Rektori i UP-së, Naser Sahiti tha se kjo marrëveshje përfshin këmbim përvojash e po ashtu edhe veprime konkrete.

“Ne nga fillimi i vitit të ardhshëm akademik, nga çdo fakultet të UP-së do ta dërgojmë një profesor për mbajtje të një cikli të ligjëratave nga një javë në Universitet të Tiranës, njësoj nga Universiteti i Tiranës vijnë nga një profesor i fakulteteve përkatëse. Veprim tjetër do të jetë vizita në mënyrë të organizuar nga personeli akademik për qëndrime të shkurtra një ditore me qëllim të përgatitjeve për komisionin evropian por edhe për donatorë të tjerë…. Përveç kësaj do të konkretizojmë edhe modalitetet të këmbimit të studentëve në mënyrë që pastaj kreditë e fituara të njihen nga universitetet reciproke”, u shpreh Sahiti.

E rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha theksoi se derisa flitet për integrim në BE, fillimisht Kosova e Shqipëria duhet të integrohen mes vete. Sipas tij, qeveritë e të dyja vendeve nuk po ndajnë buxhet të mjaftueshëm për universitetet, raporton KP, transmeton Klankosova.tv.

“Universiteti i Prishtinës e ka diapazonin më të gjerë se ne, ka më shumë fakultete dhe programe studimi, më të përqendruar se UP. Me sa kemi folur me Naserin, universiteti i juaj do të ketë një ekspansion të Shqipërisë. Kemi universitete që mbulojnë edhe fusha që nuk mbulon Universiteti i Tiranës. Ne duhet të japim shembullin se si bashkëpunohet në të mirë të studentëve dhe të pedagogëve, të kërkim shkencor. Janë shumë hapësira në kuadër të programit të BE-së, të cilat kërkojnë bashkëpunim dhe marrëveshje me qëllim që të rritet potenciali i të fituarit të këtyre projekteve. Besojmë shumë që së bashku të jemi pjesë e projekteve të rëndësishme të BE-së dhe të rrisim financat e universiteteve tona, sepse vuajmë nga financat, pak paguajnë qeveritë, të ardhurat vijnë nga studentët”, ka theksuar Hoxha.

Ai ka shprehur besimin që ky bashkëpunim të jetë efektiv dhe se të pranohet kreditë e fituara të studentëve që shkojnë në Shqipëri, apo atyre që vijnë në Kosovë për studime.