Specialja publikon rregullat e vizitave në burgun ku po mbahen krerët e UÇK-së në Hagë

0
184

Gjykata Speciale ka vendosur që nga 15 korriku t’i lejojë të afërmit e ngushtë të të akuzuarve t’i vizitojnë familjarët e tyre që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Sipas përkufizimit në Rregulloren e Paraburgimit, në të afërm të ngushtë përfshihen bashkëshortja/bashkëshorti, partnerja/partneri, prindërit, fëmija, nipi/mbesa, vëllai, motra (ku përfshihen edhe vëllezër e motra vetëm prej nënës ose babait dhe vëllezër e motra të gjetura), gjyshërit, dhëndri dhe nusja.

Të gjithë këta do të lejohen të kalojnë kohë me të afërmit e tyre në paraburgimin e Speciales, pa u vëzhguar nga punëtorët e Scheveningen, vendit ku po mbahen ish-krerët e UÇK-së.

Specialja i ka kushtuar kujdes të veçantë organizimit të vizitave prej familjes në bazë të një procedure të thjeshtuar. Takimet personale ndërmjet të paraburgosurit dhe bashkëshortes/bashkëshortit dhe fëmijëve të të paraburgosurve realizohen në një vend të përshtatshëm brenda objektit të paraburgimit ku lejohet kontakt fizik. Ambienti është jashtë rrezes së shikimit dhe dëgjimit të oficerëve të paraburgimit.

Shefi i paraburgimit mund të vendosë kufizime për vizitat dhe komunikimet, përfshirë edhe kufizime kohore, duke u bazuar në planin ditor të punës të objektit të paraburgimit dhe disponueshmërinë e personelit. Orari i vizitave mund të ndryshojë në rast se të paraburgosurit apo vizitorit nuk i përshtatet, thuhet në këtë rregullore.

Sipas të njëjtës rregullore, çdo send i marrë nga jashtë objektit të paraburgimit, përfshirë çdo send të sjellë nga një vizitor, i nënshtrohet kontrolleve të sigurisë së objektit të paraburgimit dhe, sipas rastit, mund të kontrollohet me përdorimin e aparateve me rreze Rëntgen dhe të pajisjeve të tjera kontrolluese.

“Vizitorët nuk mund të shkëmbejnë sende drejtpërsëdrejti me të paraburgosurit gjatë vizitës. Shefi i paraburgimit mund të lëshojë udhëzime në bazë të rregullës 4.6 të Rregullores së Paraburgimit mbi procedurat e sjelljes së sendeve për të paraburgosurit. 3. Kreu IV i këtij Udhëzuesi Pune zbatohet mutatis mutandis për dokumente shkresore që një vizitor sjell për të paraburgosurin”, thuhet ndër tjerash në këtë rregullore.

I paraburgosuri lejohet të shpenzojë kohë me bashkëshorten/bashkëshortin, partneren/partnerin dhe me fëmijët në vizitë private të paktën një herë në tre muaj me kohëzgjatje deri në tri orë.

“Vizitat private kryhen jashtë rrezes së shikimit dhe dëgjimit të oficerëve të paraburgimit”, thotë rregullorja, njofton express.

Për këtë qëllim, në objektin e paraburgimit vihet në dispozicion një vend i përshtatshëm, duke u kushtuar vëmendjen dhe kujdesin e duhur sigurisë dhe dinjitetit.

“Në kërkesën e parë për vizitë private, vizitori i paraqet me shkrim Njësisë së Paraburgimit formularin e kërkesës të plotësuar dhe të nënshkruar, në përputhje me nenin 11 të këtij Udhëzuesi Pune. Së bashku me formularin e kërkesës vizitori jep informacionin dhe dokumentacionin e kërkuar në formularin e kërkesës, ndër të cilat një kopje të faqes me fotografi të pasaportës së vizitorit dhe dokumente ose prova të gjendjes martesore, ose të marrëdhënies së bashkëjetesës dhe/ose lidhjes prindërore. 4Pas verifikimit dhe miratimit të vizitës private, shefi i paraburgimit njofton të paraburgosurin dhe vizitorin. Pas vizitës së parë private, vizitorët të cilëve shefi i paraburgimit u ka miratuarleje për vizita private, nuk kanë nevojë të dorëzojnë përsëri dokumentacionin e përcaktuar në paragrafin 3, përveçse kur shefi i paraburgimit e kërkon këtë posaçërisht. Shefi i paraburgimit u jep këtyre vizitorëve të miratuar informacion për caktimin e vizitave private të mëtejshme. 6. Shefi i paraburgimit mund të lëshojë udhëzime në përputhje me rregullën 4.6 të Rregullores së Paraburgimit për procedurat që zbatohen për vizitat private dhe kryerjen e vizitave private”, thuhet në pjesën e rregullores që përshkruan procedurat deri te realizimi i një vizite.

Në rast se ndonjë i paraburgosur lirohet dhe dëshiron ta vizitojë dikë prej atyre që vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim, Administratori mund ta refuzojë kërkesën e tij, specifikohet në këtë rregullore.