Gjermania e gatshme të ofrojë 3 milionë vaksina COVID-19 për vendet e Ballkanit Perëndimor, thotë Merkel

0
38

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka bërë të ditur se Gjermania do të jepte tre milionë doza vaksinash Covid-19, për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në videokonferencën e realizuar një ditë më parë në kuadër të Samitit të Berlinit, ajo u shpreh se një gjë e tillë do të ndodhte ”sa më shpejtë të jetë e mundur”, përcjell klankosova.tv.

Tutje në adresimin e saj në konferencë Kancelarja gjermane Angela Merkel ka thënë se ajo i sheh për arsye strategjike anëtare të ardhshme të Bashkimit Europian, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Është në interesin e vetë Bashkimit Europian të çojë procesin përpara këtu”, u tha Merkel gazetarëve pas një konference virtuale të Ballkanit Perëndimor, duke lënë të kuptohet për ndikimin e Rusisë dhe Kinës në rajon, por pa i përmendur ata.

Ajo tha se bashkëpunimi më i fortë rajonal i promovuar që nga viti 2014 tashmë kishte arritur suksese fillestare, të tilla si një marrëveshje roaming që sapo kishte hyrë në fuqi.