“Nëse ne i fshehim rastet e dhunimeve nga lufta, ne nuk bëjmë asgjë më shumë se t’i ndihmojmë Serbisë”

0
223

Vasfija është një heroinë e vërtetë e ditëve tona. Gruaja e cila dhimbjen e shndërroi në guxim dhe shembull se si mund dhe duhet të sfidohen stereotipet e paragjykimet shoqërore. Gruaja e cila foli publikisht për tmerrin e përjetuar gjatë luftës së fundit dhe dhunimin seksual nga forcat serbe.

Krasniqi-Goodman e ftuar në emisionin Oxygen tregoi se ende stigmatizohen viktimat e dhunës seksuale nga lufta dhe hezitojnë të flasin në publik pasi nuk kanë përkrahje nga familjarët dhe rrethi.

Vasfija tregon se kur vajza e saj mbushi 16 vjeç, ishte mosha kur Vasfija u dhunua në luftë vendosi të shkruaj një letër të hapur për dhunuesin

“Dita kur unë dëshmova në kongresin amerikan ishte një ditë e vështirë për mua. Aty kam treguar historinë time dhe kam kërkuar mbështetje për drejtësi. Ne kemi nevojë për mbështetje. Historia ime ka qenë gjithmonë e hapur, por kur vajza ime mbushi 16 vjeç, ishte mosha kur mua më dhunuan në luftë vendosa të shkruaj një letër të hapur për dhunuesin dhe e publikova në llogarinë time. Kontaktova me media në Kosovë për intervistë të hapur por hezituan, nuk e di për cilën arsye. Në shtator të vitit 2017 kërkova që të tregoj rastin tim publikisht. Familja ime më ka përkrahur gjithmonë.” thotë Vasfija.

Ajo thotë se nëse ne i fshehim rastet e dhunimeve nga lufta, ne nuk bëjmë asgjë më shumë se t’i ndihmojmë Serbisë

“Unë nuk e di se shtetet tjera kanë mohuar ose fshehur këto raste por nëse ne i fshehim rastet e dhunimeve nga lufta, ne nuk bëjmë asgjë më shumë se t’i ndihmojmë Serbisë. Serbia po i mohon këto krime dhe ne po i kryejmë punë me heshtjen tonë.  Korea e Jugut është një mësim i mirë se si kërkojnë drejtësi për viktimat e dhunës seksuale nga Japonia duke protestuar çdo javë. Kosova është shumë larg nga kjo situatë. Jam kërcënuar dhe paragjykuar kur vendosa të dal të flas publikisht. Kosova nuk ka qenë e gatshme të dëgjojë këto histori. Për 20 vite unë kam jetuar me rastin tim, tash përfaqësojë shumë viktima tjera të cilat nuk kanë guximin dhe besimin në organizata të tregojë hapur për rastin e tyre. Ne e fajësojmë viktimën, nuk janë vetëm nga gjinia mashkullore ka edhe femra që e arsyetojnë një dhunues.” thotë Vasfija.

Familja dhe shoqëria ime ka qenë mbështetja e saj më e madhe

“Pranoj mesazhe që ofendojnë dhe shajnë gjatë gjithë kohës. Por shpresoj që po  ndryshojmë. Shqiptarët llogarisin që unë kur kam folur kam turpëruar familjen. Gjatë kohës kur kam jetuar në Kosovë nuk jam ndjerë asnjëherë e përjashtuar nga rrethi im. Të gjithë më kanë qëndruar afër, vëllau im gjatë kohës kur kam jetuar në Kosovë ka qenë vëllau im mbështetja ime më e madhe. Kur linda vajzën e madhe e kuptova se tani është detyrë e imja të kujdesem për të dhe të mos paraqitem si viktimë por të jetojë për të duke luftuar për drejtësi. Ka shumë viktima që janë përzënë nga familja veç për faktin se janë të dhunuara” thotë Vasfija.

Krasniqi-Goodman thotë se nuk është politikane, ajo hyri në politikë të luftoj për kauzën e saj për drejtësi

“Unë nuk jam politikane, unë kam respekt për të gjithë. Besoj shumë në qeverinë aktuale që do të luftojnë për drejtësi dhe do të ecin përpara për kauzën time. Të gjithë duhet të I respektojmë sepse janë populli ynë dhe përfaqësues te vendit tonë. Jashtë dyerve të parlamentit ne të gjithë jemi njësoj si deputetë të partive të ndryshme, nuk kemi përçarje. Unë nuk jam për interesa të mija personale aty, do të përfaqësojë vetëm kauzën time për drejtësi.” thotë Vasfija

Kur u divorcua nga bashkëshorti, i kërkoi vetëm Kanunin që i kishin dhuruar dhe vajzat

“E kam Kanunin në Amerikë, Kanuni i është dhuruar burri tim nga një shok i tij, aty është e shkruar që të mbash Vasfijen si një grua shqiptare. Kur u divorcova nga bashkëshorti, i kërkova vetëm Kanunin që i kishin dhuruar dhe vajzat.  Jeta është shumë e shkurtër dhe kauza ime jetësore është që të fitohet drejtësi për të gjithë viktimat e luftës.” thotë Vasfija.

I ftuar së bashku me Vasfijen ishte edhe vëllau i saj, Nafi Krasniqi i cili i kërkoj falje Vasfijes që nuk ka pas mundësi me e mbrojt ditën e 14 Prillit dhe tregoi se Vasfija është krenaria e tyre pasi ajo do të përfaqësojë viktimat e dhunës seksuale dhe zëri i saj do të dëgjohet. Për fund ai tha se angazhimi i tyre Serbisë do të i kushtoj shumë, do t’i kushtoj me drejtësi./oxygenpress.info