Vjosa Osmani ia dorëzon “Urdhrin e lirisë” Doris Pack

0
82

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ia dorëzoi sot “Urdhrin e lirisë”, Doris Pack, ish-deputetes së Parlamentit Evropian.

Këtë çmim për Pack e kishte ndarë presidenti Ibrahim Rugova në vitin 2004, për kontributin e jashtëzakonshëm të saj për lirinë e Kosovës dhe pavarësinë e saj, transmeton Klankosova.tv.

Osmani e falënderoi Pack për angazhimin e saj të gjatë në njohjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

“Roli juaj ka qenë shumë i rëndësishëm në gjithë rrugëtimin tonë. Duke filluar nga fundi i viteve ’80 e këtej ju keni qenë promovuese e madhe e së drejtës sonë për liri. Pas çlirimit të vendit, ju i keni shërbyer njohjes dhe promovimit të shtetësisë së Kosovës”, tha Osmani.

Nga ana tjetër, anëtare shumëvjeçare e Bundestagut gjerman theksoi se i kupton shumë mirë sfidat me të cilat Kosova ballafaqohet ende, sfida të kuptueshme për një shtet të ri sikur Kosova.

“Për ta njohur mirë Kosovën, secili duhet ta kuptojë të kaluarën e saj”, tha Pack.

Ajo shprehu edhe një herë kënaqësinë e saj që ka mundur t’i shërbejë popullit të Kosovës, me të cilin, sikur tha ajo e lidh miqësi e hershme.

Po ashtu, Osmani dhe Pack diskutuan për procesin e integrimit të rajonit në Bashkimin Europian, si dhe hapat që po i ndërmerr Kosova për ta përshpejtuar integrimin e saj euroatlantik.