Kosova pranon donacion 182.900 doza të vaksinës Astra Zeneca nga Norvegjia

0
60
Sot, paradite kemi pranuar 182.900 doza të vaksinës Astra Zeneca nga miqtë tanë të Mbretërisë së Norvegjisë.
Kontigjenti i vaksinave nga Norvegjia kanë mbërritur në Kosovë përmes transportit të organizuar nga institucionet e Bashkimit Europian. Kjo mbështetje nga Qeveria Norvegjeze, populli norvegjez dhe institucionet e BE-së kanë një rëndësi të madhe për ne, për të cilën shprehim mirënjohjen tonë.
Në pranimin e vaksinave në ambientet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, të pranishëm ishin, Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë, Jens Erik Grøndahl dhe Udhëheqësi i sektorit për Bashkëpunim i Zyrës së BE-së në Kosovë, Luigi Brusa.
Ministri Vitia shprehu mirënjohjet më të sinqerta për ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme të Norvegjisë dhe BE-së në përballjen me COVID-19, në mënyrë që të mbrojmë shëndetin publik.
Tutje Ministri Vitia shtoi se solidariteti mes vendeve mike në kohën e pandemisë së COVID-19 tregon se sa e rëndësishme është për ne të jemi kohezivë në procesin e imunizimit, sepse është forma më e mirë për të dalluar fitoren kundër Virusit COVID-19.
Ambasadori Grøndahl theksoi se është obligim njerëzor të jemi pranë njërit tjetrit për të luftuar COVID-19 dhe të sigurohemi që të kemi bashkëpunim sa më të qëndrueshëm.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i zyrës së BE-së, z. Brusa u shpreh i lumtur për përmirësimin e situatës epidemiologjike dhe theksoi se Bashkimi Europian do të qëndroj përkrah Kosovës gjatë gjithë kohës së vështirë me COVID-19 dhe se mbetet e përkushtuar për të mbështetur Kosovën në forcimim e sektorit shëndetësor.
Sasitë e vaksinave vazhdimisht po shtohen, andaj ju bëjmë thirrje qytetarëve të kualifikuar të grupeve prioritare sipas planit të vaksinimit që të regjistrohen dhe të aplikojnë për vaksinim në: ekosova.rks-gov.net.