Kushtetuesja hedh poshtë kërkesën e Osmanit për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së

0
650

Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë kërkesën e presidentes Vjosa Osmani e cila kishte kërkuar interpretim për ndarjen e vendeve në KQZ bazuar në grupet më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend.

“Kërkesa e presidentes nuk e ka plotësuar njërin kriter pasi kompetenca e Presidentes për emërimin e anëtarëve të KQZ-së nuk është e përcaktuar me Kushtetutë, por vetëm me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

“Rrjedhimisht, në vlerësimin e Gjykatës, në rrethanat e rastit konkret, Presidentja e Republikës nuk ka ngritur para Gjykatës konflikt të “kompetencave kushtetuese”, sipas përcaktimeve të nenit 113.3.(1) të Kushtetutës, dhe për pasojë, Gjykata shpalli kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës të papranueshme bazuar në nenin 113 të Kushtetutës dhe refuzoi kërkesën për caktim të masës së përkohshme bazuar në nenin 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese”.

“Presidentja e Kosovës, më 12 maj 2021, ka emëruar tetë (8) anëtarë të KQZ-së. Dy (2) anëtarët e tjerë nuk janë emëruar nga Presidentja sepse LVV ka propozuar tre (3) kandidatë për anëtarë të KQZ-së, ndërsa PDK ka propozuar dy (2) kandidatë për anëtarë të KQZ-së, dhe duke pretenduar “paqartësi” në kontekst të paragrafit 4 të nenit 139 të Kushtetutës që përcakton se “nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë”, presidentja i është drejtuar Gjykatës me kërkesën për interpretim të “grupit më të madh parlamentar” në kontekst të dispozitës së lartcekur, përkatësisht nëse vendet e lira në KQZ i takojnë vetëm grupit apo grupeve më të mëdha parlamentare; dhe (ii) komuniteti boshnjak, në strukturën aktuale të Kuvendit, është i përfaqësuar përmes tri (3) subjekteve të ndryshme politike me numër të barabartë të ulëseve në Kuvend, ndërsa në Presidencë janë dorëzuar tri (3) propozime nga ky komunitet, ndonëse të njëjtit i takon vetëm një (1) vend në KQZ”, thuhet tutje në njoftim.