Fjalimi i kryekuvendarit Konjufca mbajtur në seancën solemne kushtuar 31-vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990

0
64

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani,

I nderuari ish -kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Iljaz Ramajli,

Të nderuar ish -delegatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës që e shpalli Deklaratën e 2 Korrikut,

Të dashur deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja e zotërinj,

 

Jemi mbledhur këtu së bashku për ta shënuar një datë shumë të rëndësishme të historisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.

Më 2 Korrik të vitit 1990 delegatët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës e shpallën atdheun tonë Republikë. Në atë kohë, ky ishte akti më i rëndësishëm e më i guximshëm i përfaqësuesve të popullit qysh prej konferencës së Bujanit të vitit 1944.

Pikërisht para dyerve të Kuvendit të sotëm, delegatët e Kuvendit të atëhershëm e votuan Deklaratën e 2 Korrikut të cilën e lexoi Muharrem Shabani.

Kjo shpallje e Kosovës Republikë ndodhi në okupim.

Vendi ynë ishte i pushtuar dhe nën masat e ashpra represive të regjimit të Serbisë e Jugosllavisë së asaj kohe.

2 Korriku i vitit 1990 e gjeti Kosovën nën okupimin klasik të cilin Serbia e Millosheviqit e kishte përgatitur moti.

Iluzioni se autonomia e vitit 1974 do të na çonte në Republikë u shua përfundimisht më 23 mars të vitit 1989 kur Serbia njëanshëm e dhunshëm e suprimoi statusin autonom të Kosovës. Vendi ynë hyri në një fazë të aparteidit që ushtrohej nga regjimi serb. Një popull i tërë u bë cak i persekutimeve, ndëshkimeve të ashpra, burgosjeve të vazhdueshme, dhunës policore, vrasjeve në ushtri, e qindra vrasjeve nëpër protesta.

Por, 2 Korriku është momenti kyç i shprehjes së vullnetit të popullit shqiptar të Kosovës. Përmes shpalljes së Kosovës Republikë të pavarur nga Serbia, delegatët e 2 Korrikut ishim mishërues të vërtetë të vullnetit kolektiv të popullit tonë për liri dhe vetëvendosje. Mbi supet e tyre peshonte aspirata e kahmotshme e popullit tonë për mëvetësi.

Sa herë flasim për deklaratën e 2 Korrikut, duhet ta përmendim intelektualin tonë të madh, patriotin e shquar, profesorin e akademikun tonë të nivelit evropian, Gazmend Zajmi. Ai ishte përpiluesi i Deklaratës së 2 Korrikut.

Gazmend Zajmi për Deklaratën e 2 Korrikut thoshte, po citoj: “është akt i vetëvendosjes politike”. Në veprën e tij shkencore e cila në formë të përmbledhur u botua më 1997 nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës profesor Zajmi argumenton se e drejta e vetëvendosjes së popullit të Kosovës fundamentohet mbi 4 boshte.

Po e lexoj paragrafin e tij të plotë meqë përbën një argumentim të shkëlqyeshëm: “Boshti i parë është realiteti kombëtar-demografik-territorial i popullit shqiptar në Kosovë dhe Jugosllavi me dimension ballkanik, ku ai si gjysmë e kombit shqiptar në Ballkan është ndër popujt numerikisht më të mëdhenj në Jugosllavi dhe ku pjesa dominante e tij në aspektin demografik (2/3) jeton në Kosovë, ku përben 4/5 e popullsisë së Kosovës.

Boshti i dytë i mëvetësisë së Kosovës është individualiteti kompleks historik, gjeografik, struktural-kombëtar dhe politik i Kosovës (Dardania që në botën antike, vilajeti i Kosovës në Perandorinë Osmane, formësimi i pavarur i pushtetit popullor antifashist të Kosovës gjatë LDB…

Boshti i tretë në këtë radhitje të determinanteve socio-politike është vetë parimi i individualitetit dhe i barazisë kombëtare si princip ‘spiritus movens’ i trajtësimit institucional dhe politiko territorial të shtetit polinacional, ku e drejta natyrore kombëtare e kolektiviteteve nacionale për pavarësi dhe barazi është më e qëndrueshme se çdo qasje dhe lëshim momental shtetëror.

Boshti i katërt si determinant socio-politike ndër më të rëndësishmet krahas realitetit nacional-demografik të popullit shqiptar në Kosovë, është vullneti politik dhe demokratik i popullit shumicë të Kosovës i shprehur dhe i institucionalizuar nga baza dhe në bazën shoqërore për pozitë të pavarur dhe të barabartë të Kosovës në polinacionalitetin e Jugosllavisë”.

Rëndësia sublime e 2 Korrikut merr kuptim të plotë sidomos po të shikohet nga konsekuencat politiko-juridike që pasuan në përpjekjet për çlirim dhe pavarësi.

Më 7 shtator të vitit 1990 u miratua Kushtetuta e Republikës në Kaçanik.

Kurse, prej 26 deri më 30 shtator të vitit 1991 u organizua referendumi në të cilin me vullnetin e mbi 99% të popullit Kosova u konfirmua si “shtet i pavarur e sovran“.

Këto veprime konsistente politike tregonin përcaktimin e qartë e masiv të popullit shqiptar për liri.

Kurrë populli shqiptar i Kosovës nuk ka qenë më i bashkuar se rreth kësaj kauze të shenjtë. Por, në të njëjtën kohë, këto akte të materializimit së vullnetit të popullit ishin edhe shprehje e gatishmërisë kolektive për mosnënshtrim e për sakrificë. Lufta e drejtë e çlirimtare e UÇK-së ishte hallka e fundit e përpjekjes sonë që mori formë të armatosur për largimin e okupimit serb nga Kosova njëherë e përgjithmonë.

17 Shkurti i vitit 2008 i ka rrënjët në 2 Korrikun e vitit 1990.

Më 17 Shkurt u rishpall pavarësia e Republikës së Kosovës, por me kompromise të cilat dolën nga Pakoja e Ahtisaarit,  që e përmbylli procesin negociator për statusin e Kosovës. Pakoja e Ahtisaar-it u pranua ashtu që të pranohej ndërkombëtarisht nga shtetet më të fuqishme të botës demokratike.

Në vitin 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë iu përgjigj çështjes së ngritur nga Serbia “nëse Deklarata e Pavarësisë e 17 Shkurtit 2008 ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”. GjND-ja tha se më 17 shkurt 2008, të zgjedhurit e legjislaturës së tretë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ishin përfaqësues të IPVQ-ve të UNMIK-ut, por përfaqësues legjitim të popullit të Kosovës.

Duke u mbledhur po në këtë sallë, dhe duke e shpallur Kosovën shtet të pavarur, sovran e demokratik, ata nuk e kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare. Kjo ishte një fitore e madhe e shtetit tonë meqë gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara e njohu vullnetin e shprehur të popullit të Kosovës për pavarësi të shprehur në mënyrë të lirë e demokratike nga të zgjedhurit e popullit në Kuvend.

Më 2012 Kuvendi ynë u lirua edhe nga mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë sonë.

Këto fakte, të nderuar deputetë, zonja e zotërinj, duhet të na e kujtojnë se sa e gjatë, e vështirë dhe e mundimshme ishte përpjeka jonë për liri, pavarësi dhe sovranitet.

Ishte një punë titanike e plot brezave e mbushur me sakrifica të panumërta gjatë të cilave një popull i tërë nuk kurseu asgjë për t’u çliruar.

Lufta e drejtë çlirimtare e popullit tonë liridashës dhe rënia e dëshmorëve e martirëve ia dhanë vulën lirisë sonë mbi të cilën nuk ka kompromise.

Këto arritje janë pasuria jonë më e madhe që e kemi.

Prandaj duhet t’i ruajmë e t’i mbrojmë me çdo kusht.

Ju faleminderit për vëmendje!