Kalifornia përballë tornadove të zjarrit për shkak të temperaturave ekstreme

0
56

Temperaturat rekord, që tashmë po u afrohen 50 gradëve Celsius, kanë shtuar shqetësimet për zjarret në Kaliforni, e përballur shpesh me fenomene të tilla, shkruan Louise Boyle për gazetën e njohur britanike “The Independent”.

Në një nxehtësi të tillë në periferi të San Diegos, rekrutët e rinj në agjencinë më të madhe të zjarrfikësve në Kaliforni po përballen me një çështje thelbësore: çfarë të bëjnë nëse ata e gjejnë veten të rrethuar nga flakët pa asnjë rrugëdalje.

Ekipet mund të kenë vetëm disa sekonda për të veshur kostumet zjarrduruese për t’i mbrojtur nga një flakë që arrin në më shumë se 1 000 gradë Celsius.

Me kalimin e viteve, zjarrfikësit e Kalifornisë përballen me një sulm zjarresh gjithnjë e më ekstreme.

Vetëm vitin e kaluar u dogjën më shumë se 300 000 hektarë dhe humbën jetën 16 persona.

Zjarrfikësit pësuan djegie dhe thithje tymi, me disa që kishin nevojë për trajtim spitalor, por të gjithë mbijetuan.

Në vitin 2020, Kalifornia, Oregoni dhe Kolorado, panë zjarre në një nivel që nuk ishte parë më parë.

Kalifornia përjetoi djegien e një milion hektarëve përgjatë vijës bregdetare të Paqësorit.

Në total, 4,3 milionë hektarë dhe 10 000 ndërtesa në Kaliforni u shkatërruan duke vrarë 33 persona, përfshirë katër zjarrfikës.

Për here të pare Shërbimi Kombëtar i Motit lëshoi paralajmërimin me shprehjen “tornado zjarri”, e shkaktuar nga nxehtësia e fortë nga flakët që shtyn ajrin e nxehtë lart.

Kalifornia gjithmonë është djegur. Por, që nga viti 1970, shkalla e shkatërrimit është përshpejtuar jashtëzakonisht shumë.

Sasia e tokës së mbuluar nga zjarret është pesëfishuar, ndërsa vetë sezoni i zjarreve po zgjat më shumë.

Zjarret më të mëdha, më intensive po ushqehen nga nxehtësia dhe thatësira e skajshme. Këto kushte janë të lidhura me krizën e klimës të shkaktuar kryesisht nga emetimet e gazeve serrë nga dekadat e djegies së lëndëve djegëse fosile./ATSH