Von Cramon e kritikon Francën: Kosova duhet të marrë dritën e gjelbër për heqjen e vizave

0
128

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka kritikuar Francën për qëndrimin e saj skeptik për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Një një konferencë për media, Von Cramon theksoi që Kosova sipas saj, i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

“Shpresoj që në një moment do të shohim qëndrime më pak të polarizuara dhe një mjedis politik më të përshtatshëm në Francë. Kam shpresuar që gjatë udhëheqjes së presidencës së BE-së nga Gjermania, vitin e kaluar do ta kemi në agjendë këtë çështje, sepse të gjithë e dimë që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe ne do të donim të marrim dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave”.

“Në fund të fundit, është çështje e Këshillit të Evropës, sepse ka ende disa anëtarë të këshillit që hezitojnë dhe janë ende skeptik. Siç keni mundur ta shihni edhe nga vizita e presidentit francez, që nga qeveria franceze nuk morëm premtime që kjo të ndodhte. Kjo është për keqardhje dhe është një gabim që po bëhet për regjionin, poashtu edhe për Bashkimin Evropian”, u shpreh Von Cramon.

Tutje ajo theksoi se Bashkimi Evropian “nuk i ka bërë detyrat e veta”.

“Mendoj që janë dy çështje të ndryshme. Kosova ka pasur një katalog të qartë të kritereve për të marrë liberalizimin e vizave. Ai katalog është plotësuar, kanë punuar në çështjet e sigurisë dhe pse të mos i jepet kjo Kosovës?”.

“Çështja e dytë dhe tema e madhe është është normalizimi i raporteve me Serbinë. Nuk mund të ktheheni pas 3 viteve dhe t’i lidhim ato. Mendoj që BE-ja nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë, mendoj që Kosova i ka përmbush kriteret, e ka bërë punën e tyre dhe mendoj që është koha e BE-së dhe kështu BE-ja po e humb kredibilitetin”.