Kurti dhe Çanak bisedojnë për të pagjeturit e luftës në Kosovë

0
315

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim kryetarin e Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak.

Temë kryesore e takimit ishin personat e pagjetur gjatë luftës në Kosovë.

Kurti dhe Çanak, u pajtuan se Serbia duhet t’i hapë arkivat dhe të japë informacione për varrezat masive që dyshohet se ndodhen në territorin e saj.

I pari i Qeverisë së Kosovës e njoftoi mysafirin e tij se janë 1 mijë e 632 persona që konsiderohen të zhdukur dhe theksoi se qeveria do të angazhohet maksimalisht për të gjithë të pagjeturit, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.

“Në takim u diskutua për nevojën e forcimit të socialdemokracisë në rajon, dialogun e ri për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që bazohet në barazi, siç është edhe njohja e ndërsjellë. Z. Çanak e njoftoi kryeministrin Kurti me situatën politike në Serbi, ngufatjen e zërave të mirëfilltë opozitarë dhe të mediave nga pushteti aktual”, njofton Qeveria e Kosovës përcjell Klankosova.tv.

“Politikani opozitar Çanak tha se i ka marrë djalin dhe nipin për vizitë në Kosovë, që të shohin nga afër realitetin në të cilin jetojnë serbët dhe shqiptarët, sepse politika shtetërore, sipas tij, nuk po ia paraqet të vërtetën popullit në Serbi”.