Euro-deputetja Viola von Cramon viziton monumentet e Prizrenit

0
62

Deputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, znj. Viola von Cramon, në vizitën e saj të djeshme në Prizren ishte e shoqëruar nga këshilltari z. Paolo Beramaschi dhe drejtori i zyrës rajonale të Heinrich Böll Stiftung, z. Simon Ilse. Ata u pritën nga Ministri Çeku i shoqëruar nga këshilltarja e tij politike, znj. Nora Arapi Krasniqi dhe Kryetari i Komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka.

Pas takimit fillestar në zyrën e Kryetarit të Komunës, delegacioni vizitoi Qendrën Historike të Prizrenit, duke u ndalur në Katedralen katolike “Zonja Ndihmëtare”, Katedralen ortodokse Shën Gjergji, Xhaminë e Sinan Pashës, Rrugën Marin Barleti, Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kinemanë Lumbardhi, Sheshin Shadërvan dhe monumentet e tjera.
Zonja Von Cramon u njoftua për planet dhe prioritetet qeveritare në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, si vlerë që bashkon komunitetet dhe kontribuon në stabilitet shoqëror dhe prosperitet ekonomik. Delegacioni u informua edhe për projektet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore që bashkë financohen nga fondet IPA të Bashkimit Evropian, dhe fondet e Qeverisë së Kosovës..

Temë me interes gjatë aktivitetit të djeshëm ishte mbrojtja e trashëgimisë kulturore të Kosovës në tërësi dhe siguria e kishave ortodokse në veçanti. Znj. Von Cramon u njoftua mbi të dhënat e institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare të sigurisë, investimet e vazhdueshme të qeverisë për restaurimin e kishave ortodokse, multi – kulturalizmin e harmoninë shoqërore dhe kornizën e avancuar ligjore dhe institucionale për mbrojtjen e të drejtave kulturore të komuniteteve në Kosovë.

Duke e falënderuar për angazhimin e madh për Kosovën nga deputetja e Parlamentit Evropian u kërkua të artikulojë në forume evropiane të vërtetën mbi gjendjen e trashëgimisë kulturore dhe kishave ortodokse në Kosovë, në përpjekjen tonë të përbashkët për të penguar keqpërdorimin e trashëgimisë për qëllime politike. Gjithashtu u kërkua mbështetja e saj për nismën e qeverisë së Kosovës që synon kthimin e artefakteve arkeologjike dhe etnografike të Kosovës që mbahen padrejtësisht në muzetë e Beogradit.