U ndanë çmimet e garës “Shkencëtari i ri” për nxënësit e gjimnazeve të shkencave natyrore

0
225

Mbështetje të vazhdueshme për nxënësit që do të marrin pjesë në gara ka premtuar ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për nxënësit fitues të garës “Shkencëtari i ri”.

Në këtë garë ku kanë marrë pjesë nxënësit e gjimnazeve të shkencave natyrore të Prishtinës, Gjilanit, Ferizajt dhe Prizrenit, ministrja Nagavci ndau mirënjohje për fituesit, ndërsa çmimi kryesor iu nda nxënëses Emira Karahoda nga gjimnazi “Gjon Buzuku” në Prizren.

Ministrja tha se mbështetja e MAShTI-t në këtë garë ka pasur qëllim identifikimin e talenteve të reja, por edhe nxjerrjen në pah të shkathtësive dhe kompetencave të tyre në shkencat natyrore dhe njëkohësisht mbështetjen e tyre drejt avancimit dhe zhvillimit.

Kjo garë e filluar në nivel të Komunës së Prishtinës, për çdo vit po zgjerohet edhe në komuna të tjera me ç’rast ministrja Nagavci tha se synimi ynë është që këtë garë ta organizojmë në nivel të Republikës së Kosovës. Ajo theksoi se është planifikuar edhe hartimi i një Udhëzimi Administrativ i cili do të përcaktojë organizimin dhe mbarëvajtjen e garave, përfshirë edhe pjesëmarrjen në gara ndërkombërtare.

Ministrja Nagavci premtoi se do të mbështesë të gjithë nxënësit, në veçanti ata që na përfaqësojnë dhe kanë nevojë për mbështetjen tonë në këtë drejtim. Ajo shtoi se përmes këtyre aktiviteteve garuese dhe politikave stimuluese për nxënësit e suksesshëm, si Ministri synojmë rritjen e pjesëmarrjes së nxënësve në gara, por edhe motivimin e mësimdhënësve për të punuar edhe në aktivitete jashtëkurrikulare me nxënësit.

Ndërsa, nxënësit fitues, falënderuan ministren Nagavci për mbështetjen në këtë garë dhe theksuan se shpresojnë që aktivitete të tilla do të ketë më shpesh ku ata mund të tregojnë shkathtësitë dhe talentin e tyre.