Kurti takon Petritsch, temë dialogu Kosovë-Serbi

0
67

Kryeministri Albin Kurti e ka pritur në takim Presidentin e Fondacionit Austriak të Planit Marshall, Wolfgang Petritsch.

Ata në këtë takim kanë diskutuar për proceset dhe zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, njofton Zyra e Kryeministrit, transmeton Klankosova.tv.

“Ndër të tjera, u shkëmbyen mendime për takimin e 15 qershorit në Bruksel për dialogun e ri ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe propozimet e kryeministrit Kurti. U diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit në mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një proces që garanton njohjen reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në kumtesë.

“Kryeministri ritheksoi se takimi ishte takim për dialogun e ardhshëm i cili duhet të jetë i qartë e parimor, dhe dialog për statusin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve”.

Petritsch ka qenë i Dërguar i Posaçëm i BE për Kosovën në vitet 1998-1999 dhe kryenegociator i Bashkimit Evropian në Konferencën e Rambujesë.