Albina Shabani-Rama emërohet kryetare e Themelores në Prishtinë

0
53
????????????????????????????????????

Albina Shabani-Rama është zgjedhur kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Shabani-Rama do të jetë në krye të gjykatës edhe për pesë vite.

“Në vijim, anëtarët e KGjK-së, me votim të fshehtë, zgjodhën gjyqtaren Albina Shabani Rama, Kryetare të Gjykatës Themelore në Prishtinë, mandati i së cilës është pesë (5) vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje”, kanë njoftuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Kush është Albina Shabani- Rama?

Albina Shabani- Rama është gjyqtare në Departamentin Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Gjyqtarja Shabani-Rama ka diplomuar në Fakultetin Juridik, Universiteti i Prishtinës në vitin 2004, kurse provimin e jurisprudencës e përfundoi në vitin 2013. Nga viti 2005 e deri në vitin 2013 ka punuar në Policinë e Kosovës si zyrtare e lartë për Ankesa pastaj edhe Zëvëndës Kryesuese e Komisionit për Ankesa dhe Shpërblime në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Gjyqtarja Shabani-Rama ka mbaruar studimet post-diplomike në vitn 2008 dhe ka marr titullin Master i Shkencave Juridike-Penale. Gjithashtu ka punuar edhe si Inspektore Gjyqësore në Zyrën e Prokurorit Disiplinor nga viti 2013 deri në vitin 2015. Me 19.05.2015 është emëruar gjyqtare në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe ka vazhduar punën në këtë Departament deri me 30.06.2016. Nga 01.07.2016 është caktuar gjyqtare në Departamentin për të Mitur ku ka punuar deri në qershor të vitit 2019. Në korrik të vitit 2019 është caktuar gjyqtare në Departamentin Special.

Këshilli aprovoi propozimin për rritjen e numrit të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit nga pesëdhjetë e dy (52) në gjashtëdhjetë (60) gjyqtarë.

Gjithashtu, Këshilli mori vendim për shpalljen e konkursit për zgjedhjen e Kryetarit të Gjykatës së Apelit.

Këshilli autorizoi Kryesuesin për nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes të KGjK-së dhe Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, me disa propozime për ndryshime nga anëtarët e Këshillit.

Këshilli aprovoi propozimin e Komisionit për Buxhet për miratimin e kërkesës buxhetore për vitin 2022. Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dyer të mbyllura për shqyrtimin e tre (3) raporteve mbi faktet dhe provat e mbledhura nga Panelet Hetimore.