Shënohet Dita e Çlirimit të Podujevës, Bulliqi nderon të rënët

0
104

19 qershori shënon Ditën e Çlirimit për qytetin e Podujevës ku për të bërë nderime për heronjt ka qenë edhe kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi.

Bulliqi ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule pranë shtatoreve në qendër dhe në Kompleksin Memorial në fshatin Penuhë.

Ai ka thënë se në këtë ditë të shënuar i gjithë vendi kujton veprat e heronjve për liri.

“Në këtë ditë të shënuar, Llapi kujton me nderimin më të lartë veprën heroike të dëshmorëve, heronjve e martirëve të kombit të rënë për liri,” ka shkruar Bulliqi në Facebook.

Madje kryetari Podujevës tha se kjo është ditë krenarie e gëzimi për Llapin.

“Këtë datë në historinë e lavdishme të Llapit, përherë do të shënojmë si ditë të krenarisë dhe gëzimit, ditë të kujtimit e nderimit për të gjithë ata që dhanë gjithçka nga vetja e tyre për lirinë që ne gëzojmë sot”.

Gjatë ditës është paraparë ndarja e mirënjohjeve për udhëheqësit e veterane të arsimit dhe pronarët e shtëpive-shkolla, dhurimi i çelësave të shtëpive për disa banorë të ”Lagjes së Dëshmorëve” aksion për dhurimin e gjakut dhe shumë aktivitete kulturore dhe sportive.