PDK do ta dërgojë në Kushtetuese vendimin e Osmanit për shkarkimin e Dakës

0
55

Deputetja Blerta Deliu-Kodra, në fjalën e saj në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së në Kuvend, ka thënë se i kanë nënshkrimet e nevojshme dhe se do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës nga posti i kryetares së KQZ-së.

“PDK i ka të gjitha nënshkrimet e nevojshme që vendimin e presidentes Osmani për shkarkimin e Dakës ta çojë në Gjykatën Kushtetuese. PDK fton të gjitha grupet parlamentare t’i bashkohen kësaj iniciative për ta ruajtur Kushtetutën e vendit”.

Ajo ka thënë se përmes këtij vendimi, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti po synojnë të kapin institucionet e pavarura.

“Kjo është tendencë për qeverisje autoritare që provon të vë kontroll në të gjitha institucionet kyçe. Shkarkimi i kryesues të KQZ-së vjen pas zgjedhjeve të rregullta dhe pozitive. Vendimi rrezikon pavarësinë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale që janë në vjeshtë. Ky është shkarkim politik që ka për qëllim kapjen e shtetit. Osmani me këtë vendim ka shkelur Kushtetutën për të zbatuar urdhrin e Kurtit dhe Vetëvendosjes”.