Daka e quan jokushtetues vendimin e Osmanit: E mbajti premtimin që e dha në fushatë

0
74

Ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë një vendim jokueshtetues kur e ka shkarkuar atë.

Ajo tha se u ndëshkua për vendimet kolegjiale të KQZ-së, njofton Klan Kosova.

“Presidentja e Kosovës dje me vendimin e saj ka përmbushur kërcënimin dhe premtimin e dhënë gjatë fushatës së fundit për shkarkimin tim. Ky është një vendim jokushtetues dhe i pambështetur në ligj. Këtë e them duke u mbështetur në faktet se arsyetimi i dhënë në shkarkimin tim, jo vetëm që është i paligjshëm, kontradiktor me vetveten, por edhe qesharak”.

“Të akuzohem për mospunë dhe për vendimet kolegjiale të cilat janë marrë nga të gjithë anëtarët e KQZ-së dhe të ndëshkohem vetëm pse kam aplikuar Kushtetutën dhe Ligjin është absurditet i llojit të vet dhe sipas të gjitha gjasave vendim i porositur”.

“Ky vendim i presidentes, i bërë publik pasditen e së hënës, shihet qartë se ishte përgatitur më herët. Këtë e dëshmon edhe fakti për emërimin brenda pak minutave të kryetarit të ri të KQZ-së. Publikimit të këtij vendimi i ka paraprirë edhe një takim në të cilin isha e ftuar nga Presidentja e Kosovës. Në këtë takim, ajo ka kërkuar që unë të ofrojë dorëheqjen në mënyrë të vullnetshme dhe në këmbim do të pranoja falënderime publike për punën e deritanishme si Kryetare e KQZ-së, si dhe më premtoi vazhdim të bashkëpunimit në të ardhmen”.

“Natyrisht se kjo ishte një gjuhë dhe sjellje e papranueshme për mua nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës. Asaj i kam thënë se kam përmbushur detyrën time me integritet të lartë profesional dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi”.

“Kërcënimet publike të Presidentes Osmani kanë nisur që nga janari i vitit 2021, në kohën kur unë si Kryetare dhe shumica e anëtarëve të KQZ-së, edhe përkundër presionit të madh, ishim në mbrojtje të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për të mos lejuar kandidimin për deputetë të personave të shpallur fajtor për vepër penale, në tri vitet e fundit, me vendim përfundimtar të gjykatës. Vetëm një ditë pas vendimit të KQZ-së për moscertifikim të këtyre personave, më 23 janar, UD e Presidentes së Kosovës, përmes një video-mesazhi kishte kërcënuar publikisht me shkarkim anëtarët e KQZ-së. Ndonëse do të duhej të ishte në krye të detyrës për mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe të inkurajonte KQZ-në për të zbatuar Kushtetutën dhe Ligjin, ajo po i kërkonte KQZ-së të mos respektonte Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Daka ka thënë se ky presion i porositur ka vazhduar më vonë edhe nga përfaqësuesit e një subjekti të caktuar politik, të cilët, sipas saj, kanë pamundësuar zhvillimin normal të mbledhjeve, duke shkaktuar ndërprerje dhe duke bërë akuza të pabaza, e shpeshherë duke kaluar fyerje dhe ofendime, por që Presidentja nuk mori asnjëherë mundimin për të reaguar.

“Për këtë, të gjithë jemi dëshmitarë meqenëse mbledhjet janë transmetuar në media të shumta. Shumë prej këtyre akuzave të tyre të pabaza mund t’i gjeni edhe në tekstin e vendimit të Presidentes për shkarkimin tim”.

“Në këtë vendim, Presidentja e Republikës ka renditur disa arsye për shkarkimin tim. Këto janë arsye të paqëndrueshme dhe nuk mbështeten në realitet, i cili është krejtësisht i ndryshëm. Argumentet e dhëna nga Presidentja e Kosovës janë lehtësisht të rrëzueshme dhe nuk duhet mundim i madh për ta bërë këtë”.