Biden: NATO të përballet me sfidat e reja të shfaqura nga Rusia dhe Kina

0
96

Presidenti amerikan, Joe Biden u kërkoi sot aleatëve të NATO-s të përballen së bashku me sfidat e reja të shfaqura nga Kina dhe Rusia, pas mbërritjes në selinë e organizatës për samitin.

“Ka një ndërgjegjësim në rritje gjatë dy viteve të fundit se kemi sfida të reja. Ne kemi Rusinë që nuk po reagon konform mënyrës që kishim shpresuar. Dhe gjithashtu Kina”, theksoi ai gjatë intervistës së tij të parë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Joe Biden këmbënguli në nevojën për një koordinim më të madh midis aleatëve dhe pohoi rëndësinë që Aleanca përfaqëson për SHBA-në.

“Dëshiroj që kjo të jetë e qartë. NATO është e një rëndësie kapitale për interesat tona. Nëse ajo nuk do të ekzistonte, ne do të duhet të shpiknim atë që lejon ajo për Amerikën të bëjë në botë”, deklaroi ai në një mesazh në shkëputje të plotë me qëndrimet e parardhësit të tij, Donald Trump.

“Unë vazhdimisht kujtoj amerikanët se kur Amerika u sulmua për herë të parë në territorin e saj që nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore (11 Shtator 2001), NATO u mobilizua. Aleatët nderuan nenin 5 (të Traktatit i cili kërkon ardhjen në ndihmë për vendin e sulmuar), dhe unë vetëm dua që e gjithë Europa ta dijë se SHBA-ja është këtu dhe e lumtur që do të kthehet”, përfundoi ai./ATSH