Shabani: Erdhi momenti që edhe unë të jem pjesë e Prishtinës

0
47

Xhevdet Shabani është futbollisti më i ri i FC Prishtinës.

Futbollisti nga Kaçaniku është prezantuar së bashku me dyshen Mendurim Hoti e Bleart Tolaj në radhët e prishtinasve, shkruan Klan Kosova.

E “Rrapa” siç njihet në opinionin sportdashës në Kosovë, tha se pas shumë përpjekjeve tashmë fati ka përcaktuar t’i bashkohet Prishtinës.

“Erdhi momenti që edhe unë të jem pjesë e Prishtinës, me gjithë shumë bisedave që kishim në të kaluarën. Pas bisedave me Dritën dhe dëshirës së tyre për rifreskim skuadre, më nuk kisha dilema, ftesa e parë që erdhi nga kryeqyteti i ndjeva se tani më ishte përcaktuar fati”, tha Shabani për faqen zyrtare të FC Prishtinës.

“Ndjehem shumë i motivuar që jam pjesë e skuadrës, do të bëjë përpjekje maksimale për të ndihmuar bashkë lojtaret për të arritur objektivat e klubit. Do të bëjë të pamundurën që skuadra të përsëris sërish suksesin e titullit të kampionit”.

“E thash, ne disa herë kemi folur me Prishtinën në të kaluarën, por s’ishte fat. E ndjej se tani është momenti, dua të bëjmë histori me këtë grup të jashtëzakonshëm futbollistësh. Dua të lë gjurmë te Prishtina”.

“Konkurrenca asnjëherë më e madhe, por kjo të motivon, të forcon, të jep vullnet më shumë për punë që të zësh vend në përbërjen e parë”.