Fillon takimi i G7-tës me agjendën mbi ndryshimet klimatike dhe pandeminë

0
34

Udhëheqësit e ekonomive më të pasura të botës dhe tre vendeve mysafire u mblodhën në Cornwall të Anglisë sot për samitin e G7-tës, raporton Anadolu Agency (AA).

Samiti po mbahet për herë të 47-të nën masa të nivelit të lartë të sigurisë dhe masave paraprake mbi koronavirusin.

Presidenti i SHBA-së Joe Biden është midis udhëheqësve teksa ai bën vizitën e tij të parë jashtë vendit që kur u përurua në janar.

Liderë të tjerë që marrin pjesë në samitin e organizuar nga kryeministri britanik Boris Johnson përfshijnë presidentin francez Emmanuel Macron, kancelaren gjermane Angela Merkel, kryeministrin kanadez Justin Trudeau, kryeministrin italian Mario Draghi, kryeministrin japonez Yoshihide Suga, presidenten e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen dhe presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel.

Kryeministri australian Scott Morrison, presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in dhe presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa po ashtu marrin pjesë në samit si mysafirë. Kryeministri indian Narendra Modi, i cili gjithashtu ishte i ftuar, pritet të marrë pjesë në samitin përmes videokonferencës për shkak të krizës së COVID-19 në vendin e tij.

Samiti po mbahet në Corbis Bay, një fshat në Cornwall, i cili është nën mbrojtje shumë të rreptë nga personeli britanik i sigurisë, duke përfshirë disa njësi të marinës dhe komandot speciale të Shërbimit Ajror.

Temat kryesore në rendin e ditës do të jenë pandemia e vazhdueshme e COVID-19, rreziqet gjeopolitike globale dhe ndryshimi i klimës.

Takimet do të mbahen me dyer të mbyllura dhe ngjarja do të pasohet nga një numër i kufizuar i gazetarëve për shkak të kufizimeve të COVID-19 të cilat ndalojnë tubime të mëdha.

Samiti do të përfundojë me një komunikatë përfundimtare të dielën përpara se krerët të largohen nga Britania për në Bruksel për një samit të NATO-s i cili do të zhvillohet të hënën.​​​​​​​