MPJD për pakot e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë: Ka skaduar kontrata me operatorin që i bën dërgesat

0
71

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është sqaruar për akuzat se kanë marrë vendim për të ndaluar dërgimin e pakove higjienike për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët janë në paraburgim në Hagë.

Nga Divizioni për Komunikim Publik i MPJD-së për Klankosova.tv kanë deklaruar se u ka skaduar kontrata me operatorin për dërgimin e pakove jashtë vendit.

“Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) i ka skaduar kontrata me operatorin për dërgimin e pakove jashtë vendit”.

“Arsyet janë ligjore dhe lidhen me të kaluarën. MPJD-ja është duke punuar në gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë”, thuhet në përgjigje.

Ishte vajza e Jakup Krasniqit, Gresa Krasniqi, e cila ka thënë se Donika Gërvalla, ministrja e Punëve të Jashtme nuk po i lejon të dërgojnë pako me gjëra esenciale për babanë e saj që ndodhet në paraburgim në Hagë.

Ajo me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se Gërvalla duhet t’i lë anash ose inatet personale ose ministrinë që sipas saj është duke e udhëhequr dobët.

“Pakot me gjëra esenciale deri tash i kem dërgu në dhomat e paraburgimit në Hagë, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme. Donika Schwarz, paska marr vendim që ato pako mos me u dërgu përmes Ministrisë së saj”.

“Ajo duhet me i lënë anash ose inatet personale ose ministrinë që aq dobët e udhëheq ose të përgjigjet për veprimet e saj! Krejt dhe Zhdrejt!”, ka shkruar Krasniqi.