Haxhiu mbështetë fuqizimin dhe promovimin e ndërmjetësimit për të gjithë qytetarët në Republikën e Kosovës

0
25

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka takuar sot përfaqësuesit e Qendrës së Berlinit për Ndërmjetësimin e Integruar (“CSSP”) në qëllim të fuqizimit të bashkëpunimit për avancim të mëtutjeshëm të ndërmjetësimit.

Ky i fundit, është prioritet i Ministrisë së Drejtësisë, në drejtim të fuqizimit të kapaciteteve për qasje në drejtësi por edhe të avancimit të mëtutjeshëm të metodave alternative për zgjidhjen e kontesteve.

Gjatë takimit, ministrja Haxhiu i shpalosi aktivitetet e planifikuara lidhur me ndërmjetësimin, ku u referua, ndërmjet tjerash, edhe në hartimin e Rregullores për Vetë-inicim të rasteve, trajnimeve të vazhdueshme dhe profilizimin e ndërmjetësuesve, digjitalizimin e databazës si dhe kampanjave vetëdijësuese.

Përfaqësuesit e CSSP-së theksuan që pikërisht këto prioritete reflektonin gjendjen në terren për sa i përket ndërmjetësimit, dhe ofruan bashkëpunimin e tyre të mëtutjeshëm në kuptim të koordinimit dhe mbështetjes së aktiviteteve. Po ashtu, CSSP ofroi të mbështesë edhe trajnime të vazhdueshme për komunitetet jo shumicë, marrë parasysh involvimin e tyre paraprak në themelimin e Qendrës së Ndërmjetësimit në Mitrovicë.

Ministrja Haxhiu i falënderoi përfaqësuesit e CSSP-së për bashkëpunim korrekt dhe të vazhdueshëm në këtë fushë, dhe shprehu përkushtim për koordinim të mëtutjeshëm, në veçanti në fushën e trajnimeve për ndërmjetësuesit të të gjitha komuniteteve në Kosovë, si dhe zhvillimin e kampanjave vetëdijësuese për të gjithë qytetarët e Republikës.