Sa shpesh dhe sa gjatë duhet të bëni dush ?

0
620

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), dushi mesatar zgjat tetë minuta. Përveç kësaj, nuk duhet të kaloni më shumë se 15 minuta në dush.

Dermatologu Edidiong Kaminska tregon se koha maksimale e rekomanduar e dushit është pesë deri në dhjetë minuta. Kjo është koha e mjaftueshme për të pastruar dhe hidratuar lëkurën pa e tepruar. Ajo shtoi se lëkura ka nevojë për ujë, por që nëse e teprojmë me larjen, mund të lërë pasoja negative.

Dr. Anna Guanche rekomandon që njerëzit që kanë lëkurë të thatë ose ekzemë të bëjnë një dush të ngrohtë. Shkolla e Mjekësisë Baylor thotë se dushet e nxehta duhet të shmangen gjatë muajve të dimrit sepse nxehtësia mund të dëmtojë sipërfaqen e lëkurës, e cila mund të çojë në inflamacion dhe të përkeqësojë simptomat e ekzemës.

Nëse bëni një dush të gjatë me ujë të nxehtë, mund të dehidratojë lëkurën tuaj. Kaminska shprehet se dushi shërben për të hidratuar dhe pastruar lëkurën, por një dush i gjatë me ujë të nxehtë largon vajrat natyralë nga lëkura dhe hap poret tona. Për ta mbajtur lëkurën të hidratuar, Kaminska këshillon të vendosni një krem ​​hidratues për trupin pas dushit në lëkurë.

Nëse nuk jeni të sigurt se cila temperaturë i përshtatet më mirë lëkurës suaj, rekomandohet të bëni dush me ujë të vakët. Sipas Akademisë Amerikane të Dermatologjisë, uji i ngrohtë është më i mirë për njerëzit që kanë psoriazë dhe ekzemë.

Dushet e ftohta gjithashtu kanë përparësitë e tyre, shkruan Healthline. Për shembull, një dush i ftohtë mund të lehtësojë dhimbjet e muskujve, lëkurën e irrituar, ose mund t’ju zgjojë në mëngjes. Një dush i nxehtë mund të lehtësojë simptomat e ftohjes ose kollës.

Sipas Akademisë Amerikane të Dermatologjisë, bërja e dushit një herë në ditë është e mjaftueshme për shumicën e njerëzve. Por njerëzit që bëjnë sport ose ndonjë aktivitet tjetër që i bën të djersiten mund të bëjnë dush disa herë në ditë.