Specializantët në protestë të hënën, i kërkojnë Vitisë paga të rregullta

0
182

600 specializantë që filluan punën vitin e kaluar po kërkojnë paga të rregullta nga Ministria e Shëndetësisë.

Për plotësimin e kësaj kërkese ata kanë organizuar protestë të hënën nga ora 11:00 para objektit të Ministrisë, njofton Klan Kosova.

“Protesta bëhet me qëllim të takimit me ministrin i cili që dy muaj nuk ka kthye përgjigje për kërkesat tona zyrtare dhe injorancës që po e tregon ndaj nesh. Kërkesa jonë është që të kalojmë në PAGA TË RREGULLTA”, thuhet në njoftimin e organizimit të kësaj proteste në një grup të specializantëve.

“I kemi këto dy javë vendimtare dhe presioni nuk duhet ndalë, sepse askush nuk garanton që në tetor do na vazhdohen subvencione dhe askush nuk na garanton që vitin tjetër mundemi me dalë në paga të rregullta, e atëherë do mbesim askund. Është momenti tash që të mobilizohemi, të gjithë, pa dallime, për të drejtat tona, për mos diskriminim, për barazi, për pagesë të mundit tonë që e bëjmë”.

Specializantët deri tani kanë marrë paga nëpërmjet fondit për subvencione.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili filloi procesin e specializimeve, pati thënë se ata po “subvencionohen gjatë shkollimit të tyre specialistik, me qëllim që të njëjtit ta përballojnë më lehtë krejt procesin e specializimit, deri në përfundim të programit”.

Për këtë proces ka kritikuar pasardhësi i Zemajt, i cili tha se u bë pa kriter.

Vitia ka thënë se klinikat në Shërbimit Spitalor të Kosovës janë mbingarkuar me specializantë të rinj.

“120 specializantë të pranuar, nuk dihet se nga ku kanë ardhur. Janë 12 specializantë për një mentor klinik”.