Arrestohen 20 persona për kontrabandë me emigrantë

0
85

Sektori i Hetimeve i Departamentit të Policisë Kufitare pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, nën dyshimin e kryerjes së veprës ‘kontrabanda me emigrantë’, këtë të shtunë që nga ora 04:00 e mëngjesit ka filluar së zbatuari planin e operativ ‘Emigranti’.

Operacioni është zhvilluar në dy rajone: në rajonin e Mitrovicës Jugu dhe në rajonin e Prizrenit.

Si rezultat i hetimeve të mëhershme nga Sektori i Hetimeve të DPK-së dhe me asistimin e njësive tjera mbështetëse të PK-së, janë kryer kontrolle ne 10 lokacione (shtëpi, hotele dhe objekte përcjellëse), njofton Klankosova.tv.

Gjatë kontrollit janë arrestuar 20 të dyshuar, ku prej tyre 14 shtetas të Kosovës, ndërsa gjashtë me shtetësi nga vendet e lindjes (Iraku, Siria dhe Palestina).

Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar provat materiale si ne vijim: 22 telefona celular, 11 automjete të ndryshme, gjashtë fishekë cal 7.65 mm, një grirëse për mariuhanë, dy pako rizzllo, tri çip (memoristik) – kartela të telefonit, disa sim kartela dhe një sasi e mjeteve monetare.

Pas përfundimit të procedurave, me vendim të prokurores së rastit nga Prokuroria Themelore e Krimeve të Rënda ne Mitrovicë, janë dërguar ne mbajtje prej 48 orëve njëmbëdhjetë të dyshuar, ndërsa nëntë prej tyre janë liruar në procedurë të rregullt.